Transmetuar më 28-01-2021, 17:55

Me rastin e 85-vjetorit të shkrimtarit të madh Ismail Kadare, Agjencia Kombëtare e Diasporës, dhuroi për Shtëpinë Studio “Kadare” më Tiranë disa kopje të albumit “Kadare dhe Gjirokastra”.

Albumi u hartua nga Agjencia Kombëtare e Diasporës, në bashkëpunim me artistin Roland Tasho dhe me mbështetjen e Ministrit të Shtetit për Diasporën.

Drejtuesja Ekzekutive e Agjencisë, Znj. Sonila Hysi në takimin e mbajtur sot në shtëpinë studio tha se qëllimi final i punës së agjencisë për bashkëpunimin me diasporën shqiptare, është ruajtja dhe promovimi i vlerave, kulturës, gjuhës dhe traditës shqiptare.

Këtë mision shkrimtari i jashtëzakonshëm e ka kryer më mirë se kushdo me artin e tij në gjithë këto vite duke u shndërruar në promovuesin më të mirë të Shqipërisë në diasporë dhe në arenën ndërkombëtare.

Ndaj ishte privilegj që në këtë përvjetor t’i dhurohej ky album jo vetëm shkrimtarit, por edhe Shtëpisë Muze Kadare këtu në Tiranë, Shtëpisë Muze në Gjirokastër dhe institucioneve të tjera, duke dhënë një kontribut modest që publiku ta njohë këtë gjeni të letërsisë sonë edhe nëpërmjet artistëve të tjerë dhe institucioneve që krenohen me veprën e jashtëzakonshme të tij.

Virtyti më i rëndësishëm njerëzor është mirënjohja dhe ky album është dhurata e Agjencisë Kombëtare të Diasporës në shenjë mirënjohje ndaj një ambasadori të veçantë të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, siç është Kadare.