Transmetuar më 26-01-2021, 12:13

Kryeministri Edi Rama, në konferencën e sotme për shtyp, "Ekonomia në Fokus", komentoi edhe përgjimet e Anti-mafias italiane, ku tregohej sesi biznesmenë italianë, të lidhur me organizatën mafioze "Ndragheta", flisnin për investime në fushën e ndërtimit në Tiranë, tenderë dhe koncesione në shëndetësi.

Rama i ka konsideruar përgjimet e zbardhura në Itali si një llum, duke shtuar se kjo ngjarje sipas tij tregoi edhe gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet opozita.

Sipas Ramës, i vetmi investim i bërë në Tiranë është një dyqan i vogël për rroba pune.

"Për këtë duhet të flasë drejtësia, sepse në këtë rast ka folur qartësisht, duke dhënë konkluzion grupi hetimor italian. Po e lexoj për t’ju thënë pse është turp i pashembullt për të gjithë ju që keni detyrën të informoni publikun dhe ndërkohë thjesht ushqeni tymnajën me llafe, muhabete, dëngla njerëzish që sipas prokurorisë italiane “në konkluzion, në praktikë pas më shumë se një viti udhëtimesh në Tiranë dhe bisedimesh me njëri-tjerin për investime, që do të bëhen në Shqipëri, ato dështuan totalisht dhe i vetmi investim i bërë, është një dyqan i vogël për shitjen e rrobave të punës, për të cilin ka pasur konflikte mes ortakëve. Në vitin 2018, investimi në Shqipëri, sipas bilanceve nga QKB, ka shitur mallra për 5 mln lekë të reja dhe ka humbur në fund të atij viti 400 mijë lekë të reja. Në vitin 2019, siguroi 4 mln lekë të ardhura dhe 1.8 mln lekë humbje”, – deklaroi Rama.

Sipas kryeministrit, "ky është citim nga konkluzionet e prokurorisë italiane. Marrja e këtij llumi dhe servirja e këtij llumi si ushqim për shqiptarët netëve të gjata të mejhaneve televizive dhe ditëve të gjata të kërkesës për klikime dhe spektakël, është turp që i mishëron më së miri, ata të cilët e ushqejnë këtë lloj qasje, që janë të njëjtë dhe prirjen për t’ja bërë nënën këtij vendi e kanë prioritet".

Rama shton se bëhet fjalë për një tymnajë të neveritshme.

"Flasin ca italianë, përmendin ca njerëz, imagjinojnë investime, parapërfytyrojnë pushtimin e tokës së premtuar: nuk ka asnjë fakt, asnjë provë dhe këtu ngrihet një tymnajë që është e neveritshme. Dhe unë s’kam asgjë për të thënë për këtë, por ju them se kjo është një provë spektakolare e katandisjes së opozitës". /e.a/noa.al/