Transmetuar më 26-01-2021, 09:42

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka përsëritur shqetësimin e tij për ndërtimin e një plani të qartë nga autoritetet shëndetësore për të përballuar pandeminë e Covid-19.

Duke iu referuar shifrave të fundit, Meta thotë se ky është niveli më i lartë i shënuar, që pas javës së dytë të dhjetorit në vendin tonë.

Në një postim në "Facebook", kreu i shtetit shkruan se Covid 19 nuk ndalet me propagandë

“Sipas të dhënave zyrtare të përpunuara nga “Zëri i Amerikës”, numri i të prekurve nga pandemia arriti në 4.830, ose 20.4 përqind më shumë se një javë më parë. Ky është niveli më i lartë i shënuar, që pas javës së dytë të dhjetorit. Nevojitet një plan i qartë, që duhet ta kishim prej kohësh, për menaxhimin efikas të situatës, përmirësimin e prekshëm të kushteve në spitale, rritjen e masave mbrojtëse për mjekët e infermierët dhe veçanërisht për vaksinimin e popullatës. COVID-19 nuk ndalet me propagandë. Shëndeti dhe jeta e shqiptarëve duhet të jenë prioritet absolut”, shkruan presidenti Meta.

Ditën e djeshme, sipas përllogaritjeve të 24 orëve të fundit, Ministria e Shëndetësisë raportoi se nga 1.918 testime të kryera, ishin verifikuar 538 raste të reja me Covid. Ndërkohë, janë shënuar 9 viktima dhe janë shëruar 401 persona. /e.a/noa.al/