Transmetuar më 25-01-2021, 13:05

Nga dita e sotme, Frank Lampard nuk do të jetë më trajner i Çelsit. Lajmin për largimin e 42-vjeçarit nga stoli i bluve të Londrës, është bërë i ditur nga klubi me anë të një postimi në rrjetet sociale.

Shkarkimi i tij, vjen për shkak të rezultateve të dobëta, ç’ka reflektohet me klasifikimin në vendin e 9-të në Premier League.

Lampard do të jetë trajneri i 10-të i shkarkuar gjatë epokës së drejtimit të klubit nga manjati rus, Roman Abramoviç.

Fitorja e së dielës ndaj Luton Town, që kualifikoi Çelsin në FA Cup, nuk ka qenë provë e mjaftueshme për të shpëtuar ish-mesfushorin nga largimi.

Ndërkohë, ish-trajneri i Paris Saint-Germain dhe Borusia Dortmundit, Thomas Tuchel, është në “pole” për zëvendësimin e Lampardit.

Bisedimet me Tuchelin, i cili është trajner i lirë pas shkarkimit nga drejtuesit e PSG-së në fund të dhjetorit, po vijojnë por ende nuk është arritur marrëveshja.

Edhe trajneri i Lajpcigut, Julian Nagelsman, pëlqehet shumë nga drejtuesit e Çelsit, por duket e vështirë që ai të shkëputet nga klubi gjerman në mes të sezonit, ndaj dhe Tuchel mbetet pa rivalë për të marrë drejtimin e bluve të Londrës. /e.a/noa.al/