Baza e paprekur nga Covid 19 e shkencëtarëve në Antarktidë (Foto)
Transmetuar më 25-01-2021, 12:37

Në bazën italo-franceze "Concordia", në Antarktidë, Covid 19 nuk ekziston. Të 15 personat, përfshirë teknikët dhe studiuesit, të cilët ndodhen në "tokën e diellit",  për muaj të tërë qëndrojnë pranë njëri-tjetrin, nuk mbajnë maskë dhe në mbrëmje të gjithë luajnë bilardo së bashku.

Larg pandemisë, por në karantinë ‘de facto’. "Ne jemi më të izoluar këtu, sesa në hapësirë", thotë për agjencinë e lajmeve "Ansa", Angelo Domesi, një teknik nga Departamenti i Shkencave të Sistemit të Tokës dhe Teknologjive Mjedisore, i cili ka kaluar tre muajt e verës "antarktike" në bazë, prej 17 vjetësh.

Për shkak të Covid, këtë vit izolimi filloi para se të vinte këmbë në tokën e akullit. I nisur në mes të tetorit, 54-vjeçarit italian iu desh të kalonte një periudhë në karantinë në Hobart, Tasmani.

"Ne ishim të mbyllur në dhomën tonë të hotelit gjatë gjithë ditës, përveç një shëtitje 15-minutëshe nën vëzhgim nga një roje sigurie, në atë që ne e quanim ‘ruajtësi i deleve’. Në nëntor, shënohet mbërritja në sitin "Dome C", ku ndodhet "Concordia", në bordin e një aeroplani ushtarak.

"Zakonisht, ka rreth 80 njerëz këtu, këtë vit për shkak të pandemisë kishte rreth tridhjetë mesatarisht". Dita e punës fillon në orën 8, me takimin e parë teknik dhe përfundon rreth orës 6 pasdite.

Secili studiues mund të ketë deri në 5 projekte në ngarkim, të gjitha kushtuar ndryshimeve klimatike. Në verë, ku temperaturat lëvizin rreth -30 gradë, ka diell për 24 orë në ditë, gjë që e bën të vështirë gjumin.

"Ne e quajmë atë, gjumë të paqëndrueshëm", thotë Domesi, i cili në këto ditë ndan hapësirën e tij në bazë me 14 persona të tjerë, gjysma francezë dhe gjysma italianë.

Në fund të janarit, ai do të largohet dhe vetëm 12 persona do të mbeten në Concordia, të cilët do të kalojnë nëntë muajt e dimrit atje, në izolim të plotë.

Deri në nëntorin e ardhshëm, "nata polare" do t’i ndajë ata nga pjesa tjetër e botës. Angelo dhe teknikët e tjerë, që janë kujdesur të trajnojnë shkencëtarët për t’i bërë ata të pavarur në këto muaj të gjatë të vetmisë, do të ndërmarrin udhëtimin për në shtëpi më 31 janar.

Ky vit u bë edhe më i komplikuar nga Covid. Së pari ata do të hipin në një anije italiane, që do t’i çojë në Zelandën e Re pas një periudhe 8-10 ditë.

Aty do të duhet të qëndrojnë në bord, derisa të bëjnë tamponin për koronavirusin. Nëse janë negativë, ata mund të hipin në një aeroplan për në Europë.

"Nëse gjithçka shkon mirë, unë do të arrij në Itali në mes të shkurtit", shpjegon tekniku, për të cilin kthimi në shtëpi mund të jetë "në mënyrë paradoksale një traumë", për shkak të kufizimeve anti-koronavirus.

"Kur u largova në nëntor, shpresoja se gjërat do të përmirësoheshin, por përkundrazi, ato janë më keq se më parë …", – përfundon ai. /e.a/noa.al/