Transmetuar më 23-01-2021, 11:50

Kanë marrë një kthesë të papritur hetimet në lidhje me misterin e vrasjes dhe masakrimit të çiftit shqiptar Pasho në Itali.

Mediat italiane, raportojnë se prokuroria, ka vënë nën hetim edhe dy persona të tjerë, duke e çuar në tre numrin e të dyshuarve.

I pari nën akuzë, është Denis Kaleshi , vëllai i vogël i Elonës, e dyshuara kryesore e vrasjes së Shpëtim dhe Teuta Pashos, e cila ndodhet në burg.

Ndërsa tjetri, është Taulant Pasho, djali 33-vjeçar i çiftit, aktualisht i ndaluar në Zvicër dhe ish-i dashuri i Elonës në periudhën kur dyshohet të jetë zhdukur dhe vrarë çifti nga Vlora.

"Qëllimi është për të konfirmuar, por edhe për të përjashtuar lidhjet me gjurmët e zbuluara”, – thonë burime nga grupi i hetimit për mediat italiane.

Në apartamentin në "via Fontana", në San Iacopino, ku dyshohet se u vranë çifti shqiptar, Teuta dhe Shpëtim Pasho në vitin 2015,  prokurorja Ornella Galeotti tha se janë gjetur disa gjurmë dhe në bazë të testit të ADN-së ajo synon të zbulojë se kush është i përfshirë.

Ndërkohë që Elona Kaleshi, prej më shumë se një muaji gjendet në burg me akuzat e vrasjes, masakrimit dhe fshehjes së trupave të çiftit Pasho.

Hetimet do të thellohen me 22 shkurt,  për t’u dhënë kështu kohë të dyshuarve të përcaktojnë edhe konsulentët e tjerë ligjorë. Aktualisht çdo gjë do të jetë në duar të shkecës për të parë sesi mund të zbardhet kjo çështje.

Trupat e copëtuar të bashkëshortëve shqiptarë, u gjetën në autostradën Firence-Pisa-Livorno në afërsi të burgut Solliciano.

Ata ishin zhdukur që prej vitit 2015, ndërsa trupat e tyre u gjetën pak javë më parë, të copëtuara në 4 valixhe.

Në 2 nëntor të vitit 2015, që mendohet të jetë edhe dita e vrasjes së çiftit Pasho, Elona Kaleshi priti prindërit e të dashurit të saj që kishin ardhur nga Shqipëria për të takuar djalin e tyre, i cili do të lirohej pas 4 vitesh nga burgu pas dënimit për trafik droge.

Sipas të dhënave, Shpëtim Pasho është vrarë me thikë, në kohën kur ai po flinte gjumë, prandaj në trupin e tij nuk ka shenja dhune.

Ndërkohë që Teuta Pasho, është rrahur për vdekje, dëshmi për një gjë të tillë janë hematomat dhe kockat e thyera të gruas.

Dëshmi për këtë është fakti se në momentin e vrasjes çifti ka qenë i veshur me pizhama gjumi.

Pas vrasjes, trupat e tyre mësohet se janë prerë me sharrë elektrike dhe janë mbështjellë me materiale të ndryshme.

Gjendja e mbetjeve të dy viktimave, të cilat nuk ishin të konsumuara në një shkallë të madhe, theksojnë ekspertët, mund të jetë mbajtur në frigorifer për disa kohë.

Shpëtim dhe Teuta Pasho u gjetën të masakruar më 15 dhjetor 2020 në 3 valixhe, ndërkohë që një ditë më vonë u gjet e katërta, me pjesët e tjera të trupave. /e.a/noa.al/