Kineasti Dhimitër Anagnosti nderohet me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”
Transmetuar më 23-01-2021, 11:30

Me rastin e 85-vjetorit të lindjes, presidenti Ilir Meta dekoroi sot regjisorin dhe kineastin e shquar Dhimitër Anagnosti me Dekoratën e lartë,  “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Në motivacion e dekoratës thuhet: “Në vlerësim të personalitetit gjenial, i cili dominoi në mënyrë të pamohueshme me veprat e tij të jashtëzakonshme historinë e kinematografisë shqiptare, duke e lartësuar dhe përfaqësuar atë me dinjitet brenda dhe jashtë vendit. Me mirënjohje ndaj mjeshtrit të artit filmik, i cili u dhuroi artdashësve shqiptarë dhe të huaj shpirtin e vet autentik, duke krijuar një sërë kryeveprash filmike, që do të shkëlqejnë në çdo epokë”.

Në fjalën e mbajtur, regjisori Anagnosti tha: “Sot është një ditë e veçantë për mua. Falënderoj të gjithë njerëzit me të cilët kam punuar vite të tëra dhe bashkë kemi lëvizur në vendin tonë dhe bëmë ato vepra të filmit. Vepra e kineastëve jeton në çdo brez. Falënderoj Presidentin e Republikës, z.Meta që më nderon me një titull të lartë“.

Ndërkaq, presidenti Ilir Meta iu drejtua regjisorit, familjarëve dhe kolegëve të tij, si dhe personaliteteve të artit të pranishëm, duke thënë: “Sot kam nderin e veçantë t’ju kem mysafirë në një ditë të shënuar, në 85-vjetorin e lindjes së ‘Artistit të Popullit’, Dhimitër Anagnosti! Emri dhe vepra juaj, i nderuar zoti Anagnosti, si kineast, regjisor, skenarist e shkrimtar, por edhe si krijues mendimtar, dedikuar me gjithë përkushtimin e qënies tuaj popullit dhe Atdheut, është sot për të gjithë ne një frymëzim", – u shpreh kreu i shtetit. /e.a/noa.al/