Transmetuar më 23-01-2021, 10:07

Dy zyrtarë të Bashkisë së Kamzës, janë arretsuar nga policia, pasi akuzohen për korrupsion.

Në pranga kanë rënë Dritan Nikolli 47 vjeç (me detyrë punonjës i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Kamzë) dhe Ermal Baci 36 vjeç (me detyrë punonjës i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Kamzë).

Ndalimi i tyre është bërë në kuadër të operacionit të koduar "Supervizori" pas një hetimi 6-mujor, ku dyshohet se të dy në bashkëpunim kanë lejuar kryerjen e ndërtimeve pa leje në këmbim të ryshfetit.

"Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë një periudhe 6-mujore, qytetarëve të ndryshëm në zonën e Bashkisë Kamzë, të cilët i konstatonin duke kryer ndërtime pa leje, u kanë kërkuar dhe u kanë marrë shuma monetare, në këmbim të mosndëshkimit të tyre me masa administrative, sipas legjislacionit ne fuqi. Vijon puna për dokumentimin ligjor të plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari korruptive", – thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore. /e.a/noa.al/

Foto: Bashkia e Kamzës