Transmetuar më 23-01-2021, 09:06

Themeluesi i kompanisë Microsoft, miliarderi dhe filantropi Bill Gates ka njoftuar në platformën sociale “Twitter”, se ka marrë dozën e parë të vaksinës kundër koronavirusit.

Gates ka theksuar se ndihet për mrekulli, duke falënderuar të gjithë shkencëtarët, pjesëmarrësit në hulumtime, ekipin rregullator dhe punonjësit shëndetësorë, “që e kanë sjellë deri te ky moment”.

“Një nga përparësitë e të qenit 65-vjeç, është që i përmbush kushtet për vaksinën kundër COVID-19”, – ka shkruar Gates përbri fotografisë ku shihet duke u vaksinuar. Megjithatë ai nuk ka zbuluar se cilën vaksinë kundër COVID-19  ka marrë.

Në rrjetet sociale, prej muajsh qarkullojnë me mijëra postime që lidhen me teori konspirative rreth koronavirusit dhe Bill Gates, themeluesit të Microsoft.

Një prej teorive konspirative më të përhapura, është se Bill Gates bën pjesë në një grup që synon kontrollin e botës përmes injektimit nëpërmjet vaksinës të një çipi në trupin e njeriut.

Por ai i ka rrëzuar këto teori: “Shpresoj që kjo të mos krijojë refuzim ndaj vaksinës, sepse ka shumë specialistë në sektorin privat që kanë krijuar një vaksinë. Shifrat e konspiracionistëve më befasojnë, por shpresoj që konspiracionet të shuhen. Kombinimi i pandemisë me rrjetet sociale është i keq, pasi njerëzit kërkojnë shpjegime tepër të thjeshta. Duan të dinë vetëm kush është i keqi në këtë mes. Gjithçka është lidhur me politikën, ndoshta në SHBA, më shumë se në shtete të tjera. Vaksinat nuk është se ishin edhe aq popullore edhe para se të niste e gjitha kjo”, u shpreh miliarderi amerikan para pak kohësh. /e.a/noa.al/