Transmetuar më 21-01-2021, 21:21

Që kur nisi pandemia në Shqipëri, me mijëra persona janë infektuar deri më tani.

Vetëm në 24 orët e fundit janë kryer 3088 testime dhe kanë rezultuar pozitivë 678 qytetarë, sipas të dhënave zyrtare.

Ndërkohë, në raportimet e përditshme të ministrisë së Shëndetësisë për të infektuarit, të vdekurit, si dhe atyre që janë shtruar në spitale, apo edhe numrit të të shëruarve, rezulton se pjesa më e madhe e shqiptarëve po e kalojnë virusin në kushtet e shtëpisë.

Ditën e sotme (21 janar) u shënuan 5 viktima, dhe 285 pacientë ndodhen të shtruar në 4 spitalet Covid.

Sipas të dhënave të ministrisë, raste pozitive në total deri tani janë shënuar 69,916, raste të shëruarish 42,426, dhe raste aktive aktualisht del që janë plot 26,194 persona.

Por në total, nga 26 194 raste aktive që kemi momentalisht në territorin e Republikës së Shqipërisë, vetëm një numër i papërfillshëm po merr trajtim spitalor.

Përmes një llogarie të thjeshtë mbi 99 për qind e të infektuarve nuk po marrin trajtim mjekësor në spitale. Kjo do të thotë se ata ose po trajtohen në kushte shtëpie, ose jashtë shtetit, ose nuk kanë probleme shëndetësore.

Ky fenomen mund të lidhet më tepër me mosbesimin e pacientëve te institucionet spitalore, sesa më shumë nga fakti se të infektuarit nuk shfaqin probleme, pavarësisht se virusi raportohet se nuk është njësoj agresiv nga njëri vend në tjetrin.

Gjithsesi nuk ka studime që t’i japin shpjegimin e duhur këtij fenomeni. Kjo për arsyen se studiuesit shqiptarë numërohen me gishtat e dorës dhe ata pak studiues që kemi, as nuk financohet dhe kur bëjnë ndonjë punë vullnetare, nuk i beson askush.

Një studim i fundit i Akademisë së Shkencave, teksa kreu i saj Skënder Gjinushi ka ngritur shqetësimin për mungesë fondesh, tregoi se mbi 50 për qind e popullsisë në Tiranë është infektuar, çka është arritur “imuniteti i tufës”, por ky studim u përball me kritika të shumta.

Po ashtu, vlen të theksohet se Ministria e Shëndetësisë në raportimin e saj ditor, përfshin në numrin e viktima vetëm ata persona që kanë vdekur në spitalet Covid, ose që janë certifikuar nga autoritetet spitalore.

Vdekjet jashtë spitaleve, nuk raportohen nga ministria e Shëndetësisë. Sikurse kontrollet në zonat rurale besohet se janë thuajse inekzistente.

Sipas të dhënave zyrtare deri tani 1296 kanë humbur jetën nga Covid në vendin tonë. Opozita pretendon se qeveria fsheh numrin real të viktimave, thjesht për të treguar se është më e suksesshme se vendet e tjera të rajonit, në betejën me Covid-19, teksa fushata elektorale po afron.

COVID-19 – Statistika (21 Janar 2021)

Raste të reja ditore        678

Të shëruar në 24 orë     457

Të shtruar në spitale     285

Humbje jete në 24 orë   5

Testime ditore              3088

Testime totale            324,460

Raste pozitive             69,916

Raste të shëruara         42,426

Raste Aktive                26,194

Humbje jete                 1296

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë                   15302

Fier                        1944

Durrës                 1478

Shkodër               1341

Elbasan                 1082

Vlorë                       1026

Lezhë                     961

Korçë                    888

Berat                     799

Gjirokastër         502

Dibër                     486

Kukës                    385

/a.m/NOA.al