Transmetuar më 21-01-2021, 18:55

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është ofruar si ndërmjetës mes Greqisë dhe Turqisë për të nisur një dialog të ndërprerë prej vitesh për çështjet delikate mes dy vendeve, që lidhen më së shumti me kufijtë detarë dhe shfrytëzimin e zonave ekonomike.

Pohimi është bërë nga Ministri i Punëve të Jashtme, Nikos Dendias në Parlament, raporton noa.al.

Dendias foli në Parlamentin grek, gjatë debatit për votimin e projekt-ligjit për "përcaktimin e gjerësisë së zonës bregdetare në Detin Jon dhe Ishujt Jon deri në Kepin Tainaro të Peloponezit".

Ai fillimisht vuri në dukje faktin se në media u përfol javët e fundit dyshimi për negociatorë të dialogut Greqi-Turqi.

"U dëgjuan shumë fjalë për rolin e palëve të treta dhe veçanërisht të Gjermanisë, por edhe të Kryeministrit shqiptar, më lejoni t’ju kujtoj se, me të vërtetë, gjatë gjithë presidencës së saj në BE, Gjermania kishte komunikuar në nivele të ndryshme me të dy palët, duke promovuar përsëritjen e dialogut greko-turk".

Dendias theksoi se "më në fund, marrëveshja për datën e rifillimit të bisedimeve u arrit".

Këtu ai tregoi se kryeministri shqiptar Edi Rama ishte vetëofruar për të bërë ndërmjetësin e një dialogu mes Athinës dhe Ankarasë. Më herët Rama disa herë u pyet dhe nuk e pohoi kurrë se ishte ofruar si ndërmjetës për këtë dialog.

Lidhur me mundësinë e një takimi greko-turk në Shqipëri, ai shpjegoi: "Shumë vende miq herë pas here kanë ofruar të presin çdo takim me homologun tim turk. Shqipëria është përfshirë në ofertën për takim me homologun tim turk, përmes ofertës së kryeministrit shqiptar", tha z. Dendias.

Më herët, dje, Ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşolulu tha se "bisedimet eksploruese midis Turqisë dhe Greqisë do të fillojnë, falë mbështetjes së Gjermanisë", ndërsa në një takim me Ministrin e Jashtëm Grek, tha se Shqipëria kishte një iniciativë të vullnetit të mirë".

As MPJ turk dhe as ai grek nuk kanë pranuar të thonë se me kërkesë të kujt është ofruar Rama të bëjë ndërmjetësin, por disa thonë se gjasat më të mëdha janë që oferta të jetë bërë e koordinuar me kreun turk Erdoğan.

Dendias tha se pranimi për t’u rifutur në dialog vjen pasi janë ndalur "veprimet provokuese të Turqisë në shelfin tonë kontinental".

Më 25 janar pritet të rifillojë dialogu mes dy vendeve. Ky do të jetë takimi i 61-të mes palëve. Veç problemeve mes dy vendeve, Athina dhe Ankaraja janë të përfshira në një debat dhjetëravjeçar për Qipron dhe ndarjen e saj në dy pjesë.

Dendias thotë se "dialogu që do të rifillojë më 25 janar nuk është një negociatë, por një fazë paraprake e kontakteve, në mënyrë që të shqyrtojmë çdo perceptim të përbashkët dhe të përcaktojmë nëse ka hapësira që të nisim negociatat". /noa.al/