Transmetuar më 21-01-2021, 17:30

Studentët do të vijojnë të marrin leksionet online, pa u kthyer në auditore.

Vendimi u mor ditën e sotme në një dëgjesë me Komitetin Teknik të Ekspertëve, ku të pranishme ishin edhe ministrat Ogerta Manastirliu dhe Evis Kushi.

Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, prof. Mira Rakacolli argumentoi vendimin për universitetet online.

“Vendimarrja nuk ka qenë e lehtë, por jemi bazuar në këto të dhëna. Situata në Shqipëri nga 6-18 Janar është paraqitur me një rritje të incidencës dy javore, gjë që në dhjetor nuk e kishim. Incidenca dy javore ka shkuar në 291 raste për 100,000 banorë në një kohë që dy javë më përpara ka qenë vetëm 227 raste për 100,000 banorë, kjo është shoqëruar me një rritje të incidences, sidomos në moshat 15-24 vjeç dhe në moshat 25-34 vjeç.

Një tjetër faktor risku është qëndrimi në konvikte, që e shton shumë rrezikun e infeksionit dhe mundet që konviktet të shndërrohen edhe në vatra të shpërndarjes së sëmundjes. Universitetet online janë praktikisht në shumë vende të Botës, në Britaninë e Madhe, në Itali, në Gjermani, Austri, Zvicër, në SHBA, Kanada, edhe në një sërë vendesh të tjera,”-theksoi Rakacolli.

“Për ne, në të gjithë vendimmarrjen tonë, gjatë gjithë kësaj kohe, shëndeti është i pari, në majën e piramidës të vlerave dhe të gjitha vendimet tona janë marrë për ruajtjen dhe mbrojtjen e shëndetit publik”, tha Manastirliu.

Ministrja e Arsimit Evis Kushi, ka vlerësuar punën e Komitetit Teknik te Ekspertëve, duke shprehur vendosmërinë për ndjekjen e sugjerimeve që bazohen në evidencë.

“Ne kemi shumë besim tek ju dhe jo vetëm që i vlerësojmë por i respektojmë maksimalisht dhe të gjitha rekomandimet tuaja, që lidhen me situatën në përgjithësi por sidomos dhe sugjerimet në arsimin tonë qoftë në nivelin paraunirversitar por edhe në arsimin e lartë”, tha Kushi.

Ndërsa drejtuesja e Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, antare e Komitetit Teknik të Ekspertëve, prof. Silva Bino, është shprehur se: “Që me shfaqen e varianteve të reja qoftë në Mbretërinë e Bashkuar, po qoftë edhe variante të reja që janë shfaqur sot dhe që janë gjetur në shumë vende të botës  në Afrikën e Jugut, në SHBA, edhe në vende të tjera, është vënë re që mosha 15-24 vjeç dhe mosha e re jo vetëm preken, por aktualisht ata shërbejnë si vektorë, si transmetues të këtij virusi në moshat e tjera. Është diçka e cila do të monitorohet. Nuk është një vendim i dëshirueshëm, por këto janë faktet, të cilat janë vënë re në Botë dhe janë vënë re edhe nga ne”. /k.k/noa.al/