Transmetuar më 21-01-2021, 12:45

Dy vajza 14-vjeçare nga Komo në Itali, mikesha dhe shoqe shkolle, u larguan nga shtëpia sepse ishin "mërzitur" nga bllokimi për shkak të pandemisë.

Arratisja e tyre, e cila u raportua të martën, zgjati pak më shumë se 24 orë: të gjetura nga karabinierët, ato u dërguan te prindërit e tyre.

Siç raporton "La Provincia di Como", alarmi u dha nga dy baballarët, të cilët gjetën mesazhet e vajzave të tyre në kompjuter.

I pari, duke u kthyer në shtëpi të martën në mesditë, gjeti këtë mesazh: "Jam lodhur duke mos parë më miqtë e mi, po largohem". I dyti, sipas mediave italiane, zbuloi mesazhin tjetër: "Unë dua të jetoj, më beso".

Prindërit, së pari kontaktuan miqtë dhe shokët e shkollës, por pasdite, kur menduan se vajzat nuk do të ktheheshin, denoncuan në polici.

Pasi u zbuluan, vajzat thanë se qëllimi i tyre ishte për të shkuar në Milano dhe ndoshta Liguria, por në të vërtetë ato mbetën midis Komos dhe Cantù-së.

Të dy mikeshat thanë se e kaluan natën në një park publik, edhe pse mund të kenë fjetur tek ndonjë i/e njohur që nuk donin ta përfshinin në këtë çështje. /e.a/noa.al/