Transmetuar më 21-01-2021, 08:26

Nëntë persona janë arrestuar nga policia të akuzuar për kontrabandimin e mallrave që paguajnë doganë në aeroportin e Rinasit, ku mes tyre janë dhe 4 doganierë.

Në kuadër të operacionit të koduar, “Rinas Express”, policia sekuestroi veshje, çanta e këpucë.

Policia thotë se në rrugën Rinas-Kashar, ka kapur në flagrancë 5 persona, të cilët transportonin sasinë e mallrave, pasi kishin kaluar regjimin doganor duke shmangur e duke mos deklaruar tërësisht detyrimet doganore.

Në pranga u vunë, Byordi Kasmi, Alkida Lazri, Qani Lazri, të dënuar më parë për kontrabandë me mallra që i nënshtrohen regjimit doganor, si dhe Lonora Legisi dhe Altin Legisi.

Gjithashtu policia arrestoi dhe doganierët Baftjar Kazias, me detyrë Shef Sektori në Sektorin Operacional terminali Rinas; Theodhor Naçi, me detyrë doganier në aeroportin e Rinasit, me detyrën kontrollor në skaner pranë kontrollit fizik; Muhamet Liçaj, me detyrën e vëzhguesit si doganier i fizikut; Edlira Saliaj, me detyrën e vëzhguesit si doganier i fizikut.

Në cilësinë e provave materiale, shtetasve të dyshuar të arrestuar u janë sekuestruar:

1.Tre automjete që kanë shërbyer për transportin e këtyre mallrave të dyshuara kontrabandë pas daljes nga dogana

2.90 pallto të markave të ndryshme

3.100 xhupa të markave të ndryshme

4.70 triko (bluza) të markave të ndryshme

5.60 kostume sportive të markave të ndryshme

6.30 palë kepucë të markave të ndryshme

7.50 fustane të markave të ndryshme

8.20 copë çanta të markave të ndryshme

9.50 bluza të markave të ndryshme

10.15 aparate celularë të markave të ndryshme

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “Kontrabandë me mallra të tjera.

Ndërsa për punonjësit e doganës për veprat penale të parashikuara nga nenet 175, kontrabandë nga punonjës të doganës dhe 248 shpërdorim detyre. /e.a/noa.al/