Transmetuar më 20-01-2021, 13:53

Mediat italiane kanë publikuar detaje të reja në lidhje me zhdukjen në Shqipëri të ish-gjyqtarit sportiv dhe biznesmenit, Davide Pecorelli.

Përveç hetimeve që po zhvillohen në Shqipëri, raportohet se për zhdukjen e 45-vjeçarit, hetime ka hapur edhe Prokuroria e Peruxhias.

Po sipas mediave italiane, një prej punonjëseve të Pecorellit i ka rënë numrit të telefonit dhe zilja mësohet se ka rënë disa herë, por askush nuk është përgjigjur.

Ndërkohë rezultatet e ADN-së të kockave të gjetura brenda makinës së djegur dhe sendeve të Davide Pecorelli-t mund të hedhin dritë për fatin e sipërmarrësit italian, të zhdukur në Shqipëri më 6 janar.

Hera e fundit që ai është futur në WhatsApp është data 6 janar, në orën 16:12, që është edhe dita kur ai humbi gjurmët.

Personi i parë që bëri denoncim për zhdukjen e Pecorellit, në policinë e Citta di Castellos, ishte ish-gruaja e 45-vjeçarit, e cila është shprehur se ai çdo ditë kontaktonte, pasi fliste me fëmijët.

Ndërkohë, partnerja shqiptare e italianit, mësohet se është marrë në pyetje nga autoritetet policore shqiptare, të cilët po hetojnë ngjarjen.

Gazeta "La Nazione" raporton se ajo ka qëndruar në polici për rreth 6 orë, duke iu përgjigjur pyetjeve të autoriteteve, përpara se të rikthehej në Itali. Biznesmeni italian ka edhe një fëmijë të vogël me partneren e tij shqiptare.

Kujtojmë që 45-vjeçari mbërriti në Pukë më 4 janar, rreth orës 21:30, që është edhe momenti kur shkoi në hotel.

U largua më 5 janar, ndërsa më datë 6 nuk u rikthye. Personeli i hotelit thotë se gjatë qëndrimit atje, ai fjeti gjumë dhe mëngjesin e 5 janarit piu një kafe.

Davide Pecorelli humbi çdo kontakt me familjarët më 6 janar. Automjeti që kishte marrë me qira në aeroportin e Rinasit u gjet i djegur pranë fshatit Gjegjan të Pukës.

Përveç sendeve të tij personale, autoritetet gjetën në automjet edhe pjesë kockore të një njeriu, të cilat pritet që të përcaktohet nëse i përkasin ose jo italianit nëpërmjet analizës së ADN-së. /e.a/noa.al/