Transmetuar më 20-01-2021, 12:26

Në një reagim zyrtar, QSUT ka njoftuar se gjendja e 6 nxënësve që janë dërguar në spital, pasi u ndjenë keq nga rrjedhja e gazit në një shkollë jopublike në Tiranë, është e qëndrueshme dhe jashtë rrezikut për jetën.

Megjithatë, edhe pse gjendja e tyre është e mirë, ato vazhdojnë të jenë të shtruara në spital për monitorim.

“Paraditen e sotme, pranë Urgjencës së Sëmundjeve të Brendshme janë paraqitur me ambulancë 3 pacientë të ekspozuar nga gazi, të moshës rreth 15 vjeç. Tre pacientë të moshës 12-14 vjeç të intosikuar, janë paraqitur me ambulancë pranë Urgjencës Pediatrike, – shpjegon QSUT. – Mjeku toksikolog ka kryer konsultën mjekësore dhe ka konstatuar që janë koshiente, paraqesin simptoma të lehta të intoksikacionit si dhimbje koke, të përzjera dhe pak ansioze. Pacientët janë me paramentra stabël, jashtë rrezikut për jetën dhe janë shtruar në pavion për monitorim”.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm, teksa ishte duke u zhvilluar një orë normale e mësimit, kur nxënësit kanë filluar të shfaqnin probleme shëndetësore si dhimbje koke dhe të vjella.

Dyshohet se rrjedhja e gazit propan, ka qenë tepër e madhe, saqë është ndjerë edhe në ambientet e jashtme të shkollës.

Shërbimet zjarrfikëse kanë bërë të mundur ajrosjen e ambienteve të shkollës, për të mos pasur akumulim të gazit.

Ende nuk dihen shkaqet e ngjarjes. Ndërsa kanë nisur hetimet për të zbardhur si dhe nga ka ardhur rrjedhja e gazit. /e.a/noa.al/