Transmetuar më 20-01-2021, 12:12

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, i është rikthyer sërish vendimit të Greqisë për t’u zgjeruar me 12 milje në detin Jon.

“Greqia po rritet përsëri”, – tha ai në Parlament, teksa po diskutohej mbi projektligjin, ndërsa u shpreh: “Ne rezervojmë të drejtën për të zgjeruar ujërat territoriale në Kretë dhe më gjerë".

Mitsotakis foli i bindur në Parlament mbi projekt-ligjin për të shtrirë zonën bregdetare në 12 milje në detin Jon, duke thënë se pas katër muajsh, detet e Greqisë do të dyfishohen.

Në lidhje me deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, Mitsotakis theksoi se shtrirja në 12 milje është një e drejtë e patjetërsueshme e Greqisë.

“Unë kisha njoftuar zgjerimin e ujërave tona territoriale që nga gushti. Katër muaj më vonë, detet tona dyfishohen. Një e drejtë plotësisht në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare dhe vendi ynë mund të zgjerohet në zona të tjera dhe në Kretë”, u shpreh kryeministri grek.

"Kohët e fundit, kryeministri i Shqipërisë, – shtoi MItsotakis, – deklaroi në mënyrë të qartë se shtrirja në 12 milje është një e drejtë e patjetërsueshme e Athinës, duke shtuar një argument tjetër se ujërat e Egjeut mund të bashkohen dhe të mos ndahen”, – tha kreu i qeverisë greke. /e.a/noa.al/

Shqipëria dhe Greqia kanë rënë dakord në tetorin e shkuar që zgjidhja e çështjes së kufijve detarë dhe përcaktimit të Shelfit Kontinental dhe Zonave Ekonomike Ekskluzive, t’i besohet Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Për shefin e diplomacisë greke, Nikos Dendias, “zgjidhja do të jetë e dobishme për të dy vendet. Kam dëgjuar me interes të lartë dakortësinë e zotit Rama që zgjidhja do të ketë si bazë Konventën e OKB-së, të cilën të dy vendet e kanë nënshkruar dhe jam shumë i lumtur që kemi rënë dakord që së bashku ta kalojmë këtë çështje në Gjykatën e Hagës”, deklaroi ai në tetor gjatë një vizite në Tiranë.

Ideja e një zgjidhjeje përmes një arbitri ndërkombëtar, u hodh publikisht nga kryeministri shqiptar gjatë një vizite në Athinë, në muajin shtator.

Për shumë vite, çështja e kufijve detarë mes dy vendeve mbeti pa zgjidhje, që kur marrëveshja e arritur në vitin 2009 mes qeverive të atëhershme të të dy vendeve, u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese shqiptare, e cila e cilësoi atë në shkelje të Kushtetutës dhe normave ndërkombëtare që rregullojnë çështjet e detit.

Vendimi nuk u pëlqye nga Athina, e cila për një kohë të gjatë këmbënguli për t’ju rikthyer asaj marrëveshjeje.

Por në vitin 2017, palët ranë dakort të rinisnin bisedimet, në kuadër të një pakete çështjesh që të dy vendet do të duhej të zgjidhnin mes tyre.

Bisedimet u ndërprenë, me ndërrimin e qeverive dhe ardhjen në pushtet të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis. /e.a/noa.al/