Transmetuar më 19-01-2021, 20:41

Një burrë ka humbur jetën në spitalin Covid1 në QSUT dhe ndërsa ishte nën frymëmarrje artificiale përmes intubimit, i janë plaçkitur paratë që kishte me vete dhe ato që kishte në kartën bankare.

Denoncimi vjen nga djali i të ndjerit K.D. 58 vjeç. Ai tregoi në TV Klan se më 22 dhjetor 2020 u shtrua tek spitali Infektiv babai i tij i infektuar me koronavirus.

Djali thotë se i futi në portofol 20 mijë lekë të reja. I ati u shtrua dhe dy ditë më vonë e futën në intubim, pra më 24 dhjetor.

Pikërisht në këtë ditë, në një bankomat pranë QSUT, karta e tij bankare BKT është përdorur duke u tërhequr 20 mijë lekë të reja. Në tri ditë janë bërë tri tërheqje nga 20 mijë lekë, total 60 mijë lekë të reja.

Po ashtu janë marrë dhe paratë që gjendeshin në portofol, 20 mijë lekë.

Më 27 dhjetor në mëngjes, K.D., 58 vjeç humb jetën pasi ishte intubuar.

Familja tërhoqi trupin e të ndjerit dhe sende personale. Po ashtu dhe kuletën ku gjendeshin 200 lekë dhe karta e identitetit e patenta.

Djali i të ndjerit tregon se ka denoncuar në Komisariatin nr 4 të policisë së Tiranës këtë rast me veprime të neveritshme.

Djali i të ndjerit pohon se i ati kishte pasur në portofol kartën bankare dhe pin-in e saj pasi tërhiqte rrogën e tij në BKT. /noa.al/

Denoncuesi: “I jam drejtuar emisionit Stop për një skandal që ka ndodhur tek QSUT, tek Infektiv 1. Më datë 22 është shtruar, në datë 23 unë kam folur me babain dhe tha jam mirë. Më datë 24 e ditët në vazhdim unë me babain nuk kam folur më, ja kanë marrë telefonin dhe nuk kam patur asnjë kontakt me babain. Dhe më datë 27 ka ndërruar jetë. Dhe erdhi funerali te shtëpia, bëmë adetin, pritëm e përcollëm njerëz, hapa gjërat personale të babait dhe aty shoh që në portofol mungonte karta e bankës dhe 200 mijë Lekë të vjetra që ka pasur në portofol. Unë ia kam vendosur babait tim 200 mijë Lekë në portofol dhe kur e kam hapur portofolin për të vendosur lekë, kam parë dhe kartën e bankës aty, por nga stresi që kisha nuk kam guxuar ta heq. Por kur humbi jetën, kam kontrolluar portofolin dhe shoh 2 mijë Lekë të vjetra dhe kartën e bankës dhe kodin që nuk ishte aty. Sendet e tjera, kartë identiteti dhe patenta aty ishin. Karta e bankës dhe passëord nuk ishin aty. Nuk më intereson sa lekë është vjedhur, mua më intereson gjesti që është bërë. Doktori, infermieri, pastruesja apo ku e di unë kush ka qenë aty, personali i spitalit… Kam marrë doktoreshën dhe i kam thënë i ka humbur babait karta e bankës dhe më ka thënë nuk është e drejta ime, mos m’i bjer më telefonit se po bëj shopping (pazar). Nuk është problemi im pse ia kanë vjedhur babait tënd kartën e bankës. Unë jam infermiere dhe kaq dhe ma ka fikur telefonin.

Te policia kam bërë denoncim dhe më kanë thënë do e kemi parasysh, po s’e kur do zgjidhet nuk e di. Prandaj i jam drejtuar emisionit Stop, që ta bëj publike dhe të gjendet personi”.