Transmetuar më 18-01-2021, 07:35

Medalje, orendi, fotografi, orë dhe madje edhe veshje. Ka vjedhur  gjithçka 37-vjeçari Adamo Canto ndërsa shërbente si kamerier për Mbretëreshën Elizabeth.

Ai u dënua me tetë muaj burg nga një gjykatë në Londër, ajo e Westminster-it, për vjedhjet e tij në Pallatin Mbretëror.

Shërbëtori i "Buckingham Palace", i cili është me origjinë italiane, por lindi dhe u rrit në Yorkshire (Anglia Veriore), siç u tha gjatë gjykimit, kishte vjedhur sende të ndryshme me vlerë deri në 100,000 paund, sipas "Mail online".

Plani i tij shumë dritëshkurtër, ishte të shiste objektet e vjedhura nga dhomat mbretërore në dyqanin e suvenireve në faqen ‘eBay’, por për të fituar një sasi mjaft të vogël krahasuar me vlerën e mallrave: rreth 7700 paund.

Canto u punësua si asistent në kuzhinat e "Buckingham Palace" në vitin 2015 dhe kreu vjedhjet në periudhën nga nëntori 2019, deri në gusht të vitit 2020. Policia kishte gjetur një pjesë të mallrave të tij të vjedhura muajt e fundit dhe e arrestoi atë.

Në fund, hajduti preferoi të pranonte gabimet e tij. Ai u përpoq të justifikonte veten duke shpjeguar se ishte shtyrë të vidhte nga problemet e tij ekonomike dhe borxhet e akumuluara. Sidoqoftë, kjo nuk e kurseu nga burgu. /e.a/noa.al/

Foto: Google