Transmetuar më 17-01-2021, 18:54

Në shumë shtete kanë filluar të përhapen disa variante të reja të virusit COVID-19.

Në vendet fqinje me Shqipërinë është ngritur alarmi. Maqedonia e Veriut ka raportuar për një variant të ri, ndërsa në Kosovë nuk dihet ende nëse ka raste të infektuara edhe me këto variante.

Kjo pasi një variant tjetër pos atij që ka qenë i pranishëm, nuk mund të identifikohet pas dyshimeve  që janë ngritur.

Kësisoj, mostrat e marra nga pacientët duhet të dërgohen për verifikim në shtetet tjera. Rreth 30 mostra pritet të dërgohen në Berlin ditën e nesërme.

Autoritetet raportojnë se 30 mostra të zgjedhura në mënyrë të rastësishme, do të dërgohen të hënën në një laborator në Berlin, për të parë nëse ndonjë variant tjetër i virusit COVID-19 është duke qarkulluar në Kosovë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, po e ndihmon Kosovën që mostrat t’i dërgojë në shtetet tjera.

Drejtori i Departamentit të Mikrobiologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, Xhevat Jakupi, ka thënë  se kanë mbledhur në mënyrë të rastësishme 40 mostra, por që rreth 30 prej tyre do të dërgohen ditën e nesërme në Berlin.

Ai ka theksuar se nuk ka informacione se kur do të marrin përgjigje për këto mostra.

“Mostrat janë zgjedhur në mënyrë të rastësishme. Ne kemi mbledhur 40 mostra, por zakonisht nuk lejojnë që të dërgohen shumë, andaj po shohim mundësinë për dërgimin e 30 mostrave. Ato do të dërgohen në Universitetin “Charite” në Berlin, i cili është një nga laboratorët referent të OBSH-së. Ne nuk kemi informatë për sa kohë do të na kthejnë përgjigje, varet se si ata do ta procesojnë këtë”,  tha Jakupi, i cili shtoi se për dërgimin e mostrave jashtë vendit kanë aplikuar para disa javëve, dhe se të gjitha shpenzimet rreth transportit të tyre do të mbulohen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

/a.m/NOA.al