Piktori i njohur shtrohet në spital me Covid-19, vajza e tij apel Ramës dhe Manastirliut
Transmetuar më 17-01-2021, 16:52

Piktori i njohur Mustafa Arapi është infektuar me COVID-19.

Aktualisht ai po merr trajtim mjekësor në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Lajmin e ka bërë me dije vajza e tij Dorina Arapi.

Me anë të një statusi në rrjetet sociale, ajo i bën apel kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu që t’i japin vëmendjen e duhur të atit, pasi, siç e quan ajo, Mustafa Arapi është personalitet i kulturës shqiptare.

Ajo shton se i ati është një vlerë për shtetin dhe kulturën.

“Dje babi im, Mustafa Arapi, u shtrua në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Për shkak të kovidit, i është prekur një pjesë e mushkërive”, shkroi e bija e tij në një status në Facebook.

“Mustafa Arapi, babai im, është baba e bashkëshort i shkëlqyer, mik, njeri i nderuar, piktor i nivelit botëror, restaurator i shkëlqyer me një kontribut prej 40 vjetësh në fushën e restaurimit. Nga puna e tij restauruese, sot brezat e rinj dhe kultura shqiptare trashëgon dhe admiron Onufrin, Qipriotin, Çetirët, Zografët, banesa tradicionale, kisha, afreske, ikona e studimeve e plot të tjera. Pedagog, artist, studiues, pjesëmarrës i lëvizjeve të dhjetorit ’90, Mustafa Arapi meriton vëmendjen maksimale të shtetit, pavarësisht të gjitha shërbimeve që mjekët e infermierët po i ofrojnë. I falënderoj shumë mjekët, infermierët e gjithëkënd në spital që po i dedikohen pacientëve në këto momente të vështira!” – shkroi më tej ajo, teksa edhe një apel.

“Por i drejtohem Kryeministrit z. Edi Rama, Ministres së shëndetësisë znj. Ogerta Manastirliu, që shteti dhe institucionet të japin vëmendjen e duhur për babain tim dhe për këtë personalitet të kulturës shqiptare.  Unë e dua babain tim me jetën time, por ai është dhe një Vlerë për shtetin e kulturën shqiptare.  Ju faleminderit nga zemra gjithëkujt për ndihmën e vëmendjen! Shpërndajeni këtë mesazh,… kush dëshiron”, ishte statusi i vajzës së piktorit.

/a.m/NOA.al