Transmetuar më 17-01-2021, 16:24

Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve thekson se në respekt të udhëzimeve të MSHMS dhe duke marrë parasysh ndryshimin e temperaturave, si dhe nisur nga situata Covid, nuk kërkohet në mënyrë absolute mbajtja e dritareve të shkollave hapur.

“Dritaret duhet të mbahen të hapura ose të paktën të ajrosen 5-6 herë gjatë kohës së mësimit”, thekson ajo, duke kërkuar një temperaturë konstante në klasë me qëllim mbrojtjen e shëndetit të nxënësve dhe mësuesve.

Postimi i plotë i Evis Kushit:

Njoftim i rëndësishëm!

Shëndeti i nxënësve dhe stafit mësimor është prioritet kryesor i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Prandaj, duke marrë shkas nga temperaturat e ulëta në të gjithë vendin, si dhe shqetësimet e drejta të prindërve, ndjejmë të nevojshme të nënvizojmë se Udhëzuesi për fillimin e vitit shkollor 2020-2021, në respekt të udhëzimeve të MSHMS, duke marrë parasysh edhe ndyshimet e temperaturave sipas stinëve, nuk kërkon në mënyrë absolute mbajtjen hapur gjatë gjithë kohës të dritareve, por lejon edhe ajrosjen e klasave disa herë gjatë ditës. Më saktësisht, në të shprehet qartë se: “DRITARET DUHET TË MBAHEN TË HAPURA OSE TË PAKTËN TË AJROSEN 5-6 HERË GJATË KOHËS SË MËSIMIT”.

Prandaj kërkojmë nga të gjitha Institucionet Arsimore që të kenë në vëmendje zbatimin e këtij udhëzimi, duke u kujdesur maksimalisht edhe për mbajtjen e një temperature konstante në klasë, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të nxënësve dhe mësuesve.

/a.m/NOA.al