Transmetuar më 17-01-2021, 15:13

Një vajzë 10-vjeçare humbi sot jetën tragjikisht në Tiranë, pasi u përplas nga një makinë. Ngjarja ndodhi rreth orës 12:30, në rrugën “Njazi Meka” në zonën e Alliasit në kryeqytet.

Sipas dëshmisë së fqinjëve, e mitura është përplasur në derë të shtëpisë. Shoferi që e ka aksidentuar, fillimisht është larguar nga vendi i ngjarjes, por është kapur më vonë nga policia.

Ndërkohë, mësohet se familja e të miturës jeton me qira në këtë banesë dhe kishin vetëm katër ditë që kishin ardhur për të jetuar në këtë zonë.

Ata ishin katër fëmijë dhe jetonin me babanë e tyre, pasi prindërit ishin të divorcuar.

“Janë me qira, vajza e vogël është 6 vjeçe, jetonte me qira me një nga prindët. Sapo ka dalë nga dera e shtëpisë ka ndodhur gjithçka. Janë 4 fëmijë. Fëmija i parë ka dalë, ka kaluar rrugën dhe kanë pritur fëmijët e tjerë. Makina ka qenë një fuoristradë e zezë me 3 burra, s’ka ndaluar, ka ikur, por është kapur”, – tregon një nga fqinjët për ‘Report tv’.

Policia njoftoi se mjeti me drejtues shtetasin A.G., aksidentoi këmbësoren e mitur me iniciale A.P., 10 vjeçe, e cila si pasojë e plagëve të marra, ndërroi  jetë në spital. Policia ka shoqëruar më pas në komisariat drejtuesin e mjetit.

Ndërkohë grupi hetimor dhe policia po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit tragjik./e.a/noa.al/