“Mosmirënjohja, si  streha kryesore e delenxhiut” – nga Genc Pollo
Transmetuar më 17-01-2021, 13:56

Nga Genc Pollo

"Mosmirënjohja është streha kryesore e delenxhiut"! Ky është perifrazimi që do t’i bëja shprehjes së famshme të kryeministrit britanik të shek. 18,  William Pitt mbi nacionalzimin.

Mosmirënjohja, kur është personale, të sjell probleme me ndërgjegjen (nëse ke), dhe me njerëzit. Kur ajo është politike, të sjell po personalisht problemin e efektit ‘boomerang’, por kur është (ndër)shtetërore, ajo sjell pasoja për shtetin edhe kur mosmirënjohësi ështe zbuar nga ofiqi.

Fatkeqsisht, ky i fundit druaj se është rasti i Edi Ramës me Bashkimin Europian.

Komisioni Europian ka vënë në dispozicion të Ballkanit 70 milionë Euro për ko-financimin e blerjes si dhe kontigjente vaksine në rrugë bilaterale. Nuk kishte detyrim kundrejt  Shqipërisë, Serbisë apo katër shteteve të tjera, por e bëri si gjest të vullnetit të mirë.

Ndërkohë, që vënde si Serbia punuan me plan dhe filluan që në dhjetor vaksinimin masiv, Rama dha vetëm shfaqje dhe e mbeti i fundit në Ballkan.

Por është edhe i pari, e i vetmi në rajonin tonë që sulmon me gjuhë të vrazhdë BE dhe e bën atë  përgjegjëse për dështimin e tij.

Në një shënim para dhjetë ditësh, theksoja se pushteti komunist i Tiranës në vitet ’79 vërtet i refuzoi ofertat europiane për ndihmë, por e bëri këtë me gjuhën e mirësjelljes diplomatike. Një dallim jo i vogël me pushtetin rilindas pas 40 vitesh.

Reagimet ndaj Ramës ishin të pritshme: si dje nota franceze plot pezm për mosmirënjohjen, gënjeshrtën e harbutërinë nga një shtet "mik e aleat", po ashtu edhe reagimi i Delegacionit të BE para do ditësh me të njëjtin thelb.

Cilido qoftë shkaku i kësaj shkarjeje verbale (synimi për të bërë të fortin si valiu i hyqymetit apo humbja e sensit të realitetit në vijim të çoroditjes morale, politike e logjike), pasojat e saj do të rëndojnë mbi aspiratën europiane të Shqipërisë; fatkeqësisht edhe pasi ai të jetë zbuar nga ofiqi.