Transmetuar më 17-01-2021, 11:20

Një organizatë dhe një individ kanë denoncuar deputetin socialist Ervin Bushati në KQZ, pasi ka hyrë në një shkollë në kryeqytet, 100 ditë përpara zgjedhjeve, duke dhuruar libra për nxënësit, por edhe duke mbajtur veshur një bluzë me ankronimet “Partia Socialiste Tiranë”.

“Qëndresa Qytetare denoncon shkeljen e nenit 91 të Kodit Zgjedhor dhe Vendimin e Komizionit Rregullator i KQZ nga deputeti i Partisë Socialiste Ervin Bushati, duke përdorur brenda orarit mësimor nxënësit dhe mësuesit e Shkollës “Misto Mame”, duke shfaqur në bluzën e tij siglën e PS dhe duke deklaruar se ka ka dhuruar libra për ta”, – thuhet në denoncimin e parë.

Të njëjtat shkelje evidentohen edhe në kallëzimin tjetër:

“Ligji ndalon aktivitetet politike në mjedise shkollore dhe aktualisht shkolla duhet të jete ‘online’, megjithatë deputeti E.Bushati, koordinator politik i PS, Tiranë, ka publikuar aktivitetet e tij (me siglën e PS veshur/të dukshme) me nxënës e mësues të kësaj shkolle, ku deklaron se ka shpërndarë edhe dhurata. Përdorimi i shkollës, përfshirja e mësuesve/drejtuesve, akti i deputetit, dhuratat dhe sigla politike në shkollë, janë akte që vijnë në kundërshtim me Kodin Zgjedhor”.

Përdorimi i shkollave për qëllime politike është i ndaluar në çdo kohë, sipas legjislacionit shqiptar dhe jo vetëm në muajt afër zgjedhjeve.

Ky nuk është rasti i parë i përdorimit të funksioneve publike për interes të fushatës elektorale nga ana e eksponentëve socialistë.

Pak ditë më parë, KQZ ka gjobitur me 1500 lekë kreun e Kadastrës së Lushnjës, Arben Qalliu, për shkeje të Kodit Zgjedhor, pak pasi deputeti socialist Bujar Çela, kishte publikuar në llogarinë e tij personale në Facebook disa foto me qytetarë të ndryshëm, duke shpërndarë leje legalizimi të shtëpive të tyre në Njësinë Administrative, Hyzgjokaj. /e.a/noa.al/