Transmetuar më 17-01-2021, 10:41

Gjashtë ditë pas nisjes së fushatës së vaksinimit kundër koronavirusit në Shqipëri, dozën e parë e kanë marrë 369 mjekë dhe infermierë, ndërsa në ditët në vijim, ritmi do të rritet gradualisht.

Kështu ka deklaruar kryeministri Edi Rama, i cili përmes një postimi në Facebook, thotë se procesi do të vijojë pa u ndalur.

“369 mjekë dhe infermierë të vijës së parë të betejës me COVID 19, janë sot më të mbrojtur nga virusi i rrezikshëm, pas kryerjes së dozës së parë të vaksinës anti-COVID, në 6 ditët e para të vaksinimit, teksa procesi do të vijojë edhe sot, pa u ndalur, – shkruan Rama. – Javë pas jave rrisim gradualisht ritmin sipas planit të vaksinimit”.

Fushata e vaksinimit në vend nisi të hënën e shkuar në ambientet e rikonstruiktuara të ish-stadiumit kombëtr Qemal Stafa".

Personi i parë që u vaksinua në vend, ishte shefja e Infektivit, Najada Çomo. Pas saj, dozën e mori kryeministri Rama, i cili për mediat tha se do të vaksinohej “vetëm për të dhënë mesazhin e qartë që vaksina jo vetëm është e sigurt, por është arma asgjësuese e këtij armiku të padukshëm”.

Pas tij, radhën e kishin mjekët e njohur infeksionistë, Pëllumb Pipero dhe Tritan Kalo. Ndërkohë që doza e dytë do të merret 21 ditë pas të parës.

Më herët, Rama pati thënë se Shqipëria ka siguruar 500,000 doza të vaksinës anti-COVID-19, nga kompania farmaceutike amerikane "Pfizer".

Gjatë konferencës me gazetarët për nisjen e procesit të vaksinimit anti-COVID në Shqipëri, ai nuk ka treguar detaje në lidhje me procesin e ardhjes së vaksinave. Rama është shprehur se nuk mund ta tregojë së kush vend i dha vaksinat për arsye të konfidencialitetit. /e.a/noa.al/