Transmetuar më 17-01-2021, 10:08

Gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë "arrest me burg" për Qazim Ismailajn, i cili akuzohet për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit nga emigrantët sirianë.

32-vjeçari nga fshati Trevllazër, dyshohet se ka strehuar në banesën e tij sirianët, të cilët e përdornin Shqipërinë si trampolinë për të kaluar në vendet e BE-së me destinacion final.

Seanca është zhvilluar mëngjesin e sotëm në Gjykatën e Vlorës me dyer të mbyllura. Ismailaj, i arrestuar në 15 janar së bashku me Fatos Dushën, janë prangosur në lidhje me rastin që u zbulua në datë 8 janar, ku një gomone me mbi 50 sirianë, mes tyre gra dhe fëmijë u rrezikua të mbytej në mes të detit.

Sirianët, pasi ishin fshehur në Vlorë, të ndihmuar nga personat e arrestuar dhe disa të tjerë, po tentonin të niseshin nga Vlora, me gomone drejt Italisë, por kushtet e motit e vështirësuan situatën duke bërë që të kërkojnë ndihmë pasi rrezikuan mbytjen.

Shumica e emigrantëve ishin nga Siria dhe sipas dëshmisë së tyre, ata kanë qëndruar të bllokuar për thuajse 3 orë në det të hapur para se të evakuoheshin nga Roja Bregdetare shqiptare.

Autoritetet shqiptare u njoftuan përmes një telefonate, ndërsa arrestimi për të vënë në pranga trafikantët, të cilët dyshohet se ishin në gomone në momentin e shpëtimit, ka dështuar nga ana e policisë.

Sipas dëshmisë së emigrantëve, ata kanë dhënë 4-5 mijë euro për të udhëtuar me gomone drejt Italisë dhe më pas për në vendet e BE. /e.a/noa.al/