Transmetuar më 17-01-2021, 08:40

Rreth 14 vite më parë, përdhunoi në rrugët e Milanos një grua, e cila po shkonte në punë. Sot, autori i krimit është identifikuar më në fund, falë ADN-së.

Një algjerian 49-vjeçar, i cili ndodhet në burg që nga viti 2017 për disa krime të tjera, është identifikuar nga policia italiane si autori i dyshuar i një përdhunimi të ndodhur para shumë vitesh.

Gjithçka u zbulua falë ADN-së së gjetur në disa cigare, që u sekuestruan atëherë dhe tamponit të pështymës që iu bë të burgosurit në burgun San Vittore.

Ngjarja ka ndodhur në 20 gusht 2006, kur në 6 të mëngjesit, gruaja në fjalë u shfaq në spital e shokuar dhe tregoi se ishte sulmuar nga një burrë i panjohur, kur po shkonte në këmbë për në punë.

Burri i ishte afruar, duke e pyetur sa është ora dhe pasi i kishte zënë rrugën, i kishte mbyllur gojën dhe e kishte tërhequr në një zonë pa njerëz, ku e kishte përdhunuar nën kërcënimin se do ta godiste me tullë në kokë.

Kur kishte ikur, i kishte marrë edhe varësen e floririt, bashkë me celularin.

Në atë kohë nuk u arrit dot të identifikohej autori dhe hetimet ishin mbyllur. Por deri në 30 nëntor të vitit 2020, 14 vite më vonë, kur pati një përputhje mes ADN-së së gjetur në atë kohë te cigaret, me ADN-në e marrë nga tamponi i pështymës i bërë së fundmi.

Kështu pra, ishte bërë e mundur të rihapeshin hetimet, në fund të të cilave u zbulua autori i dyshuar. /e.a/noa.al/