Transmetuar më 16-01-2021, 11:29

PD ka denoncuar mungesën e shërbimit shëndetësor të specializuar në qytetin e Kurbinit.

Ish-deputeti demokrat, Bardh Spahia ka publikuar në faqen e tij në Facebook, njoftimin e Drejtorisë së Shërbimit Spitalor Kurbin e cila thotë se shërbimi i mjekëve specialist, grafi, fizioterapi është pezulluar për shkak të shembjes së godinës aktuale e deri në marrjen me qira të një ambienti tjetër.

Spahia thotë se 75 mijë banorët e Kurbinit që do kenë probleme shëndetësore nuk do të kenë mundësi të trajtohen, pasi askush nuk ka marrë masa që shërbimi të ofrohej diku tjetër para prishjes së godinës.

Sipas tij, ky është modeli i menaxhimit të sistemit shëndetësor nga ana e qeverisë dhe kryeministrit Rama. Ai thotë se të vetmin plan dhe vizion që ka kjo qeveri janë koncesionet korruptive dhe tenderat e errët.

Postimi i plotë i Bardh Spahias:

Ja si kjo qeveri i le qytetaret pa sherbim shendetesor! Qytetarët e Kurbinit mbeten pa shërbim mjekësor të specializuar sepse godina spitalore ku ato ofrohen do shembet!!! Pra secili nga 75 mijë banorët e Kurbinit, që do ketë probleme shëndetësore nuk do ketë mundësi të trajtohet sepse askush nuk ka marrë masa, që shërbimi të ofrohej diku tjetër para prishjes së godinës!!! Ja ku e ka katandisur shërbimin shëndetësor Edi Rama!

Ky është modeli permanent i menaxhimi të sistemit shëndetësor nga kjo qeveri me “duke parë e duke bërë”, pa pikë vëmendjeje se cfarë ndodh me shëndetin e qytetarëve. Eshtë një shembull i fundit krejt flagrant se sa pa vizion, pa strategji, pa plan e pa parashikim menaxhohet sistemi shëndetësor në vend, duke rrezikuar e jo garantuar shëndetin e qytetarëve!

Të vetmin plan dhe vizion që ka Edi Rama dhe shpura e tij janë koncesionet korruptive dhe tenderat e errët! Ato i piketojnë e realizojnë shumë mirë, ndërsa qytetarët i lenë në mëshirë të fatit! Shqipëria meriton më shumë – qytetarët shqiptarë meritojnë më shumë. Është koha për ndryshim dhe shpresë të re, për një qeveri që mendon dhe u shërben qytetarëve, që nuk ua bën taksat koncesione e tendera korruptivë, por ua kthen në shërbime që u lehtësojnë të përditshmen.

/a.m/NOA.al