Transmetuar më 16-01-2021, 08:58

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i ka kërkuar qeverisë që të mos penalizojë Vlorën, por të zhbllokojë fondet e investimeve për rrugët.

Përmes një letre dërguar ministres së Financave, Anila Denaj, lidhur me “Projektin e rehabilitimit dhe ndërtimit të objekteve në afërsi të rrugës bregdetare (Vlorë-Orikum)”, kreu i shtetit i kujton Denajt se nuk i ka kthyer ende përgjigje zyrtare për procedurat e ndjekura për huan e Bankës së Fondit Saudit për Zhvillim.

Meta e ka konsideruar kërkesën e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave për lëshimin e autorizimit për plotfuqi për nënshkrimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, për Projektin e “Rehabilitimit dhe ndërtimit të objekteve në afërsi të rrugës bregdetare (Vlorë-Orikum)” si një mungesë reflektimi në drejtim të ndjekjes së një procedure të mbështetur në Kushtetutë dhe në ligj, duke u shprehur se “po vijohet e njëjta linjë paligjshmërie dhe mosreflektimi”.

LETRA E PRESIDENTIT META

Siç dhe ju e dini fort mirë, ka pasur disa komunikime shkresore, ashtu si dhe deklarata publike të Presidentit të Republikës dhe autoriteteve të autorizuar prej tij, mbi kërkesën e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për lëshimin e autorizimit për plotfuqi për nënshkrimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, për Projektin e “Rehabilitimit dhe ndërtimit të objekteve në afërsi të rrugës bregdetare (Vlorë-Orikum)”.

Fatkeqësisht, pavarësisht këtyre komunikimeve shkresore dhe publike, nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë nuk ka pasur reflektim dhe veprim në drejtim të ndjekjes së një procedure të mbështetur në Kushtetutë dhe ligj, por vijohet e njëjta linjë paligjshmërie dhe mosreflektimi.

Siç edhe citoni në hyrje të shkresës suaj, vetë ministrja e Financave dhe Ekonomisë ka kërkuar disa takime, por asnjë takim nuk mund të ndreqë paligjshmërinë e një procesi, që duhet të plotësohet vetëm dhe vetëm mbi bazë aktesh shkresore.

Megjithëse në rastin konkret dhe sipas praktikës dokumentare që ju vetë keni përcjellë, komunikimi me  palën tjetër nuk rezulton të jetë mbajtur nga ju, por është mbajtur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në shkelje të ligjit dhe të Kushtetutës. Në rast se Fondi Shqiptar i Zhvillimit mban kontakte dhe ka negociuar për të ndryshuar destinacionin e financimit të Fondit Saudit për Zhvillim dhe transferimin e fondeve siç ishte parashikuar në projektin e Lumit të Vlorës, për segmentin Peshkëpi-Selenicë-Kryq-Levan-Tepelenë, në një projekt tjetër (ai i “VlorëOrikum”), kjo do të thotë që ju keni humbur autoritetin tuaj ligjor për të përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë, me të cilat ju ngarkon ligji.

Siç edhe ju e dini, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, sipas bazës ligjore mbi të cilën funksionon, nuk ka për detyrë dhe as kompetencë të diskutojë apo të negociojë në këto terma. Në terma shumë bazikë ligjorë, që të ketë rialokim fondesh, minimalisht duhet të ketë një marrëveshje në fuqi dhe fondi të jetë përfshirë tashmë në buxhetin e shtetit për qëllimet që marrëveshja ka planifikuar.

Dhe marrëveshja në fjalë, e lidhur në vitin 2017, nuk është më në fuqi, pasi qeveria shqiptare, për fat të keq, ka hequr dorë nga kjo marrëveshje, duke ndërprerë një investim të pritur prej kohësh nga banorët e Bashkisë Selenicë.

/a.m/NOA.al