Transmetuar më 15-01-2021, 19:56

Policia e Kosovës tha se gjatë ditës së sotme është gjetur një trup i pajetë, në afërsi të liqenit të Badovcit.

Mediat e Kosovës raportojnë se bëhet fjalë për, Fadil Syleviqi.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Bajram Krasniqi, ka sqaruar se policia sapo ka shkuar në vendin e ngjarjes ka kontaktuar edhe me familjarët dhe është ftuar prokurori i shtetit.

Siç njoftoi Krasniqi, mjekët në vendin e ngjarjes kanë konstatuar se trupi i viktimës është i pajetë.

“Ne vendngjarje mjekët kanë konstatuar se trupi i viktimës është i pajetë. Viktima është: F.S, mashkull”, tha Krasniqi.

Emri i Syleviqit është përmendur edhe nga i dënuari për vrasje, Shkumbin Mehmeti, i cili më parë kishte rrëfyer për vrasjet e pasluftës në Kosovë. Mehmeti akuzoi Syleviqin se ka urdhëruar disa vrasje gjatë kohës kur grupi i tyre kriminal ishte duke funksionuar.

“Polici Fadil Syleviqi është i përshirë në shumë vrasje”, kishte thënë shkurt Mehmeti, duke mos treguar specifikisht në cilat.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, sa ishte Ambasador në Shqipëri, kishte akuzuar Fadil Syleviqin se në prillin e vitit 1998 e ka vrarë atdhetarin Hafir Shala.

Lladrovci ka thënë se rasti Hafir Shala nuk u hetua asnjëherë deri më tani, për t’u zbardhur e vërteta e kidnapimit dhe mbytjes me dhunë nga hetuesit e pushtetit të Sllobodan Millosheviç.

Në lidhje me rastin në vendin e ngjarjes po kryhen hetimet.

/a.m/NOA.al