Transmetuar më 15-01-2021, 11:42

Seanca gjyqësore për dosjen “184” në Dibër është shtyrë për më 29 janar. Partia Demokratike ka bërë kërkesë për t’u njohur me dosjen dhe gjithashtu në seancë është konstatuar qe nuk janë njoftuar të gjitha palët e interesuara.

Prokuroria e Dibrës, pasi përfundoi hetimet për dosjen e bujshme “184” dorëzoi në gjykatë akuzat për katër të pandehur për shpërdorim detyre dhe kanosje të zgjedhësve.

I pandehuri Robert Aga, ish-shef komisariati, akuzohet për shpërdorim detyre, pasi me dashje dhe në kundërshtim me ligjin ka vënë uniformat blu në funksion të një subjekti politik, në rastin konkret mazhorancës socialiste.

Drini Gjeci, ish-drejtor i Arsimit, do të përgjigjet para drejtësisë për shpërdorim detyre, pasi kanoste mësuesit se, se nëse nuk votonin në favor të kandidatit të mbështetur nga mazhoranca, do t’i largonte nga detyra.

Nuri Meda, administrator i Njësisë Administrative Tomin, akuzohet për shpërdorim detyre dhe kanosje të zgjedhësve. Në kundërshtim me ligjin, ai ka dëmtuar interesat e qytetarëve, pasi ka përjashtuar 39 familje nga skema e ndihmës ekonomike, vetëm për shkak të bindjeve politike, pa verifikuar nëse i plotësonin ose jo kriteret për të qenë pjesë e skemës.

Hasan Hoti nga njësia administrative Lurë, akuzohet se ka kanosur zgjedhësit me qëllim që të votonin për kandidatin për kryebashkiak të Aleancës për Shqipërinë Evropiane.

Prokuroria thekson në dosje se, disa nga personat nën hetim, zyrtarë apo ish-zyrtarë si dhe biznesmenë, e kanë konsumuar veprën penale të shitblerjes së votës, por nuk mund të merren në përgjegjësi ligjore, derisa vepra penale është parashkruar.

Këtë vepër penale, sipas prokurorisë e kanë kryer, Imer Lala, Robert Aga, Arben Keshi, Drini Gjeci,Afrim Mikli apo Bekim Krashi, por për arsye proceduriale ata shpëtojnë nga ndëshkimi.

Dosja e bujshme "184", trazoi politikën shqiptare pas publikimit të përgjimeve të publikuara në gazetën gjermane "Bild", ndërsa bëri disa herë procesi kaloi nga Dibra në Tiranë e anasjelltas, për t’u vendosur përfundimisht në Dibër.