Transmetuar më 14-01-2021, 23:03

Kryeministri Edi Rama u shfaq sonte në debat televiziv, i lodhur, me durim të pakësuar ndjeshëm dhe ndonjëherë humbi edhe fillin, gjatë emisionit "Open".

Ai po ashtu u duk se kishte humbur forcën e argumentit dhe këmbënguljen. Madje ngurroi disa herë dhe të replikonte duke arritur deri aty sa të kërkonte të futeshin reklama që të mos replikonte. Madje ndonjëherë turfullonte për të treguar se nuk po duronte dot më replikat me analistët.

Si rrallëherë më parë, Rama ishte i vetëm në studio, pa opinionistët në përballje. Këta të fundit ishin me lidhje direkte nga ambiente të tjera të Top Channel.

Po ashtu, në emision mungoi Andi Bushati, me të cilin ka pasur replika shumë të forta dhe në vend të tij, ishte Shpëtim Nazarko i cili plotësoi deklaratat e Ramës duke qenë dukshëm në mbështetje të tij.

Në këtë debat, Rama imponoi shumë herë që të mos i ndërpritej fjala dhe ndalte së foluri nëse kjo nuk ndodhte.

Në disa nga pyetjet që iu bënë, ai iu shmang përgjigjeve konkrete duke qenë shpesh, sa lakonik aq edhe i paqartë në argumentet që parashtronte.

Megjithatë, në pjesën e dytë, që vijoi pas afro 15 minutash publicitet, Rama ishte më energjik.

Megjithatë sërish ai iu kthye opinionistëve duke mos u përpjekur thuajse fare të replikojë nxehtë si rëndom më parë, por kërkonte thjesht dhe vetëm që të fliste pa u ndërprerë.

Disa mendojnë se kjo mund të jetë një strategji e re e Ramës në përballjet televizive duke ndryshuar stil komunikimi, kombinuar me kushtet për prezencë në debat duke refuzuar prani në studio të analistëve.

Kulmin kjo situatë e arriti kur Rama u tërhoq plotësisht nga debati të cilin ia "dhuroi" analistëve që nisën të kacafytje mes tyre për disa minuta, ndërkohë që Rama heshtte derisa iu hap rruga të fliste i vetëm.

Dhe nëse ishte një strategji e re përballjeje me analistët, duket se Rama ia doli, sepse në mënyrë të përsëritur, analistët u grindën mes tyre me fyerje të vazhdueshme që detyruan drejtuesen e emisionit të ndërpriste përkohësisht transmetimin.

Rreth gjysmë ore pas mesnate, debati kishte të njëjtin ritëm ku Rama ndalonte sa herë ndërpritej prej analistëve dhe moderatorja tentoi të ndërpresë sërish emisionin por Rama refuzoi duke kërkuar të largohej dhe të vijohet me analistët jashtë studios. "Tani vazhdoni, unë duhet t’ju lë", tha Rama duke detyruar drejtuesen të mbyllë emisionin.

/a.b/noa.al/