Transmetuar më 15-01-2021, 00:17

Kryeministri Edi Rama, foli sonte në Open edhe mbi darkën e Dubait ku gjendeshin ministrat e tij, drejtori i komunikimit dhe biznesmeni i njohur Samir Mane.

Rama tha se duke parë videon e mëposhtme edhe ai konfuzohej për atë darkë të shtrenjtë.

Video është postuar nga vetë lokali tha Rama, duke mos përmendur faktin që ajo u fshi të nesërmen.

Kryeministri tha se darka erdhi pas kurorëzimit të marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara Arabe për një investim 2 miliardë euro nga kompania EMAAR për rindërtimin e portit kombëtar të Durrësit.

Në vijim ai tha se arriti të bindë arabët që të ndërtojnë 2 mijë apartamente në Shqipëri duke theksuar se projekti është në përfundim.

Rama tha se synohet që porti i Durrësit të zhvendoset nga qendra e qytetit.

"Darka u hëngër, u zu në fyt, por Durrësi do të kthehet në një ëndërr", tha Rama, duke theksuar se kjo darkë erdhi pasi pala pritëse ftoi delegacionin shqiptar duke iu paguar të gjitha shpenzimet përveç udhëtimit.

Ramës iu bë dhe pyetja se "çfarë donte Samir Mane në këtë darkë?"

"Pala mikpritëse ka ftuar përfaqësues të qeverisë. Ahmetaj, për 2 mijë tërmetet, Balluku, për portin, zyrtarët e bashkive Tiranë dhe Durrës për projekte të këtyre qyteteve. Po ashtu EMAAR ka ftuar dhe përfaqësues të bizneseve nga rajoni", tha Rama duke theksuar se Samir Mane ishte i ftuar nga Emiratet bashkë me sipërmarrës të tjerë nga Ballkani.

Rama tha se kompanitë nga EBA nuk futen në tenderë, por bëhen pjesë të marrëveshjeve mes qeverive në vendet ku investojnë. Kryeministri sqaroi se EMAAR është kompani shtetërore dhe u urdhërua nga princi i kurorës për të investuar në Shqipëri. /noa.al/

VIDEO