Transmetuar më 14-01-2021, 22:25

I pranishëm këtë mbrëmje në emisionin “Open”, në  Top Channel, kryeministri Edi Rama ka folur rreth mirëmbajtjes së vaksinës Pfizer.

Ai nuk i ka kursyer notat e ironisë duke thënë se i ka sjellë me ‘kuaj’.

Më tej Rama ka theksuar se sipas tij është një debat absurd dhe vaksina ruhet sipas protokolleve të Bashkimit Europian.

"Vaksinat janë një pjesë që do vazhdojnë të vijnë në mënyrë transparente. Ne do u thonim nuk i duam se mediat duan transparencë? Vaksinat Pfizer. Çdo flakon ka një kod. E thashë janë si ar sot. Dhe çdo flakon që del nga kompania ka një rrugë dhe është e pamundur ta devijosh nga rruga. Ajo rruga që u tregua është një rrugë që ka një destinacion. Destinacionin në një vend të BE është e pamundur të kthehet. Është e autorizuar nga një shtet dhe nën kujdes të sigurisë dhe shëndetit. Vaksinën e bëra vetë dhe nuk e bëra sepse desha të përfitojë nga rasti. Është vaksina Pfizer që po injektohet në trupin tim", tha Rama.

Pyetjes së Robert Rakipllarit se: "Pse nuk e bëni transparente rrugën këtu?", Rama iu përgjigj:

"Rakipllari gjysma e hapit pranon që është okej. Pjesën tjetër unë kam vajtur vetë dhe i kam bërë transparente edhe tek frigoriferët. Është absurditet. I kemi sjellë me kuaj dhe i kemi futur në arka domatesh. Ditën e hënë e kam futur në trupin tim jashtë kushteve se dua të vras veten. Këtu e mbyllim këtë. Garancia institucionale është se ka ardhur sipas kushteve të BE”, tha Rama.