Transmetuar më 14-01-2021, 22:05

Kryetari demokrat Lulzin Basha, siguroi sonte mbështetësit se opozita do të kurorëzojë me fitore vullnetin e shqiptarëve për ndryshim më 25 prill.

Kurse siguroi se do të jetë ai kryeministri i ri: "Padyshim unë jam kandidati i opozitës për Kryeministër. Ky është një vendim i shpallur tashmë, që vjen jo vetëm si vendim i koalicionit, por edhe si shprehje e vullnetit të kryetarëve. Ne kemi matje të qarta në terren që ka një preferencë të qartë, që unë si kryetar i partisë sot dhe nesër si kryeministër, të marr përsipër barrën e qeverisjes së vendit."

Lulzim Basha pohoi se kushtet për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare janë të vështira dhe të disfavorshme për opozitën.

Megjithatë, tha Basha, "ne kemi një shumicë absolute të shqiptarëve, të vendosur për të sjellë ndryshimin".

Basha tha më tej në Opinion se "opozita ka marrë një vendim, koalicioni ynë ka marrë një vendim politik që ne këtë vullnet të shqiptarëve për ndryshim nuk do ta shpërdorojmë, por do ta kurorëzojmë me një fitore të thellë dhe me një pjesëmarrje masive të qytetarëve në atë që nuk do të jetë thjesht votim për parlamentin e ri dhe qeverinë e re por një referendum për ndryshim".

Sipas Bashës, "koha e Edi Ramës ka marrë fund dhe shtoi: "Pyetja ekzistenciale për ne është: a do ta mbyllim këtë kapitull më 25 prill apo do ta vazhdojmë këtë karusel me politikanë sharlatanë që marrin pushtetin me premtime të mëdha dhe nuk bëjnë asgjë, por për të justifikuar dështimin, përdorin propagandën, blejnë median, përqëndrojnë pushtetin ekonomik, ushqejnë oligarkët, apo do të votojmë për ndryshimin? Ky është thelbi."