Transmetuar më 14-01-2021, 12:13

Gjykata e Tiranës dha sot masën e sigurisë “arrest me burg” për sanitaren e spitalit Covid-2 Tire Alldervishi me akuzën e mashtrimit, për shkak se dyshohet se i mori 800.000 lekë vajzës së një gruaje të shtruar, me qëllim ofrimin e një shërbimi më të mirë.

Pacientja ndërroi jetë pas 28 ditësh në spital, ndërsa vajza zbuloi më pas se ishte mashtruar nga gruaja që u hoq si infermiere dhe që kishte thënë vazhdimisht që i kishte shërbyer nënës, duke marrë po ashtu para edhe për mjekë, infermieret e tjera dhe sanitaret.

Por, pavarësisht se dha masën e sigurisë mbi akuzën e mashtrimit, gjyqtarja Rexhina Merlika duket se nuk është e kënaqur me klasifikimin e veprës penale nga prokuroria, duke sugjeruar një vepër penale më të rëndë, siç është mashtrimi me pasoja të rënda.

“Të abuzohet me këtë lloj ndjenje, është jashtëzakonisht e rëndë. Me këtë vendimmarrje, duke marrë pasur parasysh çështjen që për gjykatën paraqet rrezikun e një shkalle shumë të lartë në rastin konkret, pavarësisht rezervave, çmohet që krimi është vazhdues. Pavarësisht se regjistrimi është bërë në momentin e parë nga Prokuroria bazuar në aktet, por në efekt të hetimeve paraprake, çmohet dhe në efekt të pasojave, që në rastin konkret, janë të rënda, – u shpreh gjyqtarja e çështjes. – Për këto elementë, nëse do të konfigurohen për shkak të detyrës me punonjës të tjerë, do të jenë pjesë e hetimit dhe gjykata nuk del jashtë këtij konfigurimi për efekt të të dhënave paraprake që disponon, por dyshimi është i një shkalle që mund të ketë edhe momente të tjera që, mund të konsiderohen në kuadër të bashkëpunimit apo vepra të tjera për shkak të detyrës".

Sipas gjyqtares Merlika, situata e krijuar me sanitaren, në një kohë kur të gjithë qytetarët janë të trembur nga koronavirusi dhe shfrytëzimi i kësaj frike për të zhvatur para, duhet parë në kuadër të rrethanave të reja nga prokuroria.

"Në rastin konkret, në konfigurimin e kësaj vepre, Gjykata i sugjeron akuzës që ta kualifikojë në kuadër të paragrafit të fundit, për shkak të pasojave të rënda të sjella“. /e.a/noa.al/