Transmetuar më 14-01-2021, 09:51

Një ditë pas konfliktit me armë në zonën e ish-Parkut të Autobusëve, Policia e Tiranës ka zbardhur dhe dokumentuar plagosjen e biznesmenit Sino Llanaj, ndërsa i lënduar ka mbetur një kalimtar i rastit, si edhe roja i pallatit në ndërtim.

Policia thotë se janë arrestuar 5 persona, ndërkohë që një tjetër po procedohet në gjendje të lirë. Mes të ndaluarve janë edhe dy biznesmenët, Sino Llanaj dhe Albert Allmuça, të cilët kanë pasur prej kohësh konflike dhe përplasje mes tyre për një pallat në ndërtim në rrugën "Ndre Mjeda".

Në njoftimin e bluve, bëhet me dije se autori që ka qëlluar me armë zjarri, është identifikuar dhe shpallur në kërkim. Por policia thotë se ka qenë më shumë se një person që ka qëlluar më armë zjarri.

“Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

A.A., 53 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”;

S.Ll., 46 vjeç, për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”;

Sh.B., 41 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Moskallëzimi i krimit”;

S.M., 52 vjeç, dhe A. L., 48 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”;

Si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi K. K., për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës””, thuhet në njoftimin e policisë.

Dy biznesmenët Llanaj dhe Allmuça bashkë-investitorë në pallatin që po ndërtohet, kanë konflikte për çështje borxhi.

Ditën e djeshme u plagos në këmbë dhe një kalimtar i rastit, ndërsa roja i pallatit u sulmua me sende të forta. /e.a/noa.al/