Transmetuar më 14-01-2021, 09:38

“Aktualisht nuk jam mirë psikologjikisht, do jap sqarime në një fazë tjetër të hetimit..” Kjo ka qenë fjalia e vetme që sanitarja Tire Alldervishi, e spitalit Covid-2, “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, ka dhënë përpara oficerit të çështjes që ka ndjekur procedurën e hetimi ndaj saj.

Alldervishi, nuk ka qenë në gjendje të mbrohet para oficerit, i cili në prani të avokatit të saj, Enea Cenko, i ka komunikuar Tires akuzën e “Mashtrimit të kryer më shumë se një herë”.

Në dokumentacionin policor, sipas ‘Ora news’, thuhet se “kallëzuesja Eltjana Sinanaj, pretendon se ju i keni marrë paratë për t’ia dhënë sanitareve, infermierëve dhe doktorëve të spitalit “Shefqet Ndroqi”. Si jeni njohur me shtetasen e mësipërme dhe çfarë keni për të thënë rreth kësaj çështje?

Ndërkohë sanitarja Tire Alldervishi, përgjigjet duke pohuar se “…në këtë fazë të hetimit do përfaqësohem nga avokati Enea Cenko. Aktualisht nuk jam mirë psikologjikisht dhe sqarime do jap në faza të tjera të hetimit…”.

Momentalisht Tire Alldervishi, po mbahet e izoluar në ambjentet e komisariatit të Tiranës, ndërkohë në ditët në vijim do dalë para gjykatës së kryeqytetit për t’u njohur me masën e sigurisë “arrest në burg” që do kërkojë përfaqësuesi i akuzës.

Sanitarja, e spitalit “Shefqet Ndroqi”, duke u shtirur si infermiere, akuzohet se i ka marrë 8 milionë lekë të vjetra shtetases Eltjana Sinanaj, duke i premtuar kësaj të fundit se do i shpëtonte nënën e sëmurë nga COVID-19, e cila nuk mundi të fitonte betejën me sëmundjen.

Komunikimet nëpërmjet WhatsApp-it të vajzës dhe nënës së saj të publikuara në emisionin investigativ ‘Stop’, faktuan se edhe shërbimi, edhe përkujdesja ndaj të ndjerës, nuk kanë qenë ato që pretendohen. /e.a/noa.al/