Paralajmërimi i OBSH: Viti 2021 mund të jetë më i ashpër se viti që lamë pas
Transmetuar më 13-01-2021, 19:46

Viti i dytë i pandemisë mund të jetë më i ashpër sesa i pari, parashikon Organizata Botërore e Shëndetësisë duke dalë me një tjetër deklaratë të zymtë që nxjerr në pah paaftësinë globale të luftimit të pandemisë, paaftësi e lidhur me drejtimin e saj.

Nga mënyra sesi po përhapet ky virus, sidomos në hemisferën veriore, përfshirë qarkullimin e varianteve të reja, Organizata Botërore e Shëndetësisë, e sheh vitin 2021 edhe më të vështirë.

“Viti i dytë i pandemisë mund të jetë edhe më i vështirë, teksa shohim dinamikën e përhapjes”, ka thënë Mike Ryan nga OBSH, gjatë një organizimi virtual në rrjetet sociale.

Në përditësimin e fundit epidemiologjik, OBSH-ja ka evidentuar se javën e kaluar është raportuar për afro pesë milionë raste të reja me koronavirus.

“Pas pushimeve, në disa shtete situata do të përkeqësohet në vend që ajo të përmirësohet”, – tha  Maria Van Kerkhove, pjesë e OBSH-së, duke iu referuar faktit se shumë vende janë në lockdown dhe jo shumë njerëz lëvizën për festa.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, autoritetet shëndetësore në gjithë botën kanë regjistruar afro 93 milionë raste të infektimit me koronavirus, deri tani.

Gati 2 milionë pacientë kanë vdekur në të gjithë botën, por këtu përfshihen vetëm të vdekurit që rezultojnë me tampon pozitiv në ditën e vdekjes dhe vetë ata që vdesin në spitalet publike, ato private që monitorohen nga qeveritë si dhe azilet e pleqve. /a.m/NOA.al