Transmetuar më 13-01-2021, 18:55

Ish-kryeminsitri Matteo Renzi njoftoi të mërkurën se do të tërheqë partinë e tij qendrore nga koalicioni qeverisës, duke e zhytur vendin përsëri në kaos politik, ndërsa Italia po lufton me koronavirusin.

Duke folur në një konferencë shtypi të shumë pritur, Renzi tha se dy ministra nga partia e tij “Italia Viva” do të japin dorëheqjen. Kjo e lë qeverinë pa shumicë në parlament dhe në prag të kolapsit.

Mbështetja nga partia e Renzi-t kishte qenë kritike për mbijetesën e koalicionit të udhëhequr nga Lëvizja “Pesë Yjet” dhe Partia Demokratike e qendrës së majtë.

Më parë gjatë ditës, Kryeministri Giuseppe Conte tha se shpresonte që Renzi të mos tërhiqte ministrat e tij nga Kabineti, duke paralajmëruar se vendi nuk do të ishte në gjendje të kuptonte pse qeveria ishte shembur mes krizës së vazhdueshme shëndetësore.

Italia zhytet kështu në krizë qeveritare. Conte u takua me Mattarella në Quirinale sot dhe duke folur para gazetarëve tha: “Qeveria mund të shkojë përpara vetëm me mbështetjen e të gjitha forcave të shumicës. Shpresoj të punojmë së bashku në mënyrë konstruktive ”.

Renzi më pas foli në konferencën për shtyp dhe i kërkoi përgjigje Kontes. Ministrat e “Italia Viva”, Bellanova dhe Bonetti, njoftuan dorëheqjen e tyre nga qeveria. Ndërkohë, themeluesi i Lëvizjes “Pesë Yje”, Beppe Grillo, foli duke ndarë një "letër të hapur për partitë e mazhorancës dhe opozitës".

Renzi teksa konfirmoi dorëheqjen e ministrave, shtoi:

"Në dritën e besimit të palëkundur në Presidentin e Republikës Sergio Mattarella, ne besojmë se tre pikat e ngritura nga Bellanova dhe Bonetti në Këshillin e Ministrave duhet të adresohen. Ekziston një pikë dhe format i demokracisë, sepse kemi luftuar që të mos i japim kompetenca të plota Salvinit dhe nuk duam t’i japim ato as Contes: mjafton të dekretohen dhe të drejtohen në rrugë të unifikuara”, tha Renzi.

“Nëse format e demokracisë nuk respektohen, atëherë dikush duhet të ketë guximin të thotë se mbreti është lakuriq ", tha ish-kreu i qeverisë italiane, i cili paralajmëroi se partia e tij do të dalë në opozitë.

/a.m/NOA.al