Transmetuar më 13-01-2021, 15:24

Të dhënat e studimit sugjerojnë se më shumë gra punuan nga shtëpia, 51 për qind e tyre, krahasuar me 27 për qind të burrave.

Situata e COVID-19 solli gjithashtu probleme psikologjike dhe rëndesë të shëndetit mendor, ku sipas studimit gratë e përjetuan më tepër (në masën 69%) përkundrejt burrave (57%).

Burrat dhe gratë në Shqipëri u goditën ekonomikisht dhe psikologjikisht nga pandemia COVID-19, zbuloi një studim i publikuar së fundmi nga UN Ëomen Albania.

Studimi, i cili mori në pyetje 1300 persona gjatë muajve mars-prill, kur qeveria aplikoi masat kufizuese më të ashpra ndaj pandemisë në vend, zbuloi se meshkujt u prekën më shumë nga humbja e vendit të punës (17%), ndërsa gratë e vetëpunësuara u goditën më rëndë nga reduktimi i orëve të punës kryesisht të moshës 45-54 vjeç.

Tre nga katër gra përjetuan rritjen e punës së papaguar dhe punëve shtëpiake sipas raportit.

Gratë raportuan në masë të lartë se iu desh të shtonin kujdesin ndaj familjes dhe punëve të shtëpisë.

Mbyllja e kopshteve dhe shkollave shtoi nevojën e prindërve për tu kujdesur në shtëpi për fëmijët.

Shumica e burrave dhe grave u përgjigjën se parashikojnë vështirësi ekonomike në shpenzimet ditore, si dhe në pagesat e faturave, nëse masat kufizuese vazhdojnë. Gratë shprehën gjithashtu edhe frikën më të madhe lidhur me përballimin e vështirësive nëse gjendja nuk përmirësohet.

Studimi sjell në vëmendje se gratë patën gjithashtu më tepër sfida në aksesin e shërbimeve shëndetësore, si dhe në sigurimin e mjeteve të higjienës (maska, doreza etj).

/a.m/NOA.al