Kanosi me armë policët në Kukës, si i shpëtoi arrestimit Abedin Oruçi
Transmetuar më 13-01-2021, 08:55

Zbardhet incidenti mes punonjësve të policisë dhe ish-kreut të Qarkut Kukës, Abedin Oruçi një ditë më parë.

Sipas një njoftimi të policisë, disa efektivë kishin shkuar në ambientet e lokalit në pronësi të tij për të ekzekutuar një urdhër-ndalimi.

Në momentin që punonjësit e policisë kanë hyrë brenda ambientit, persona të afërm të ish-zyrtarit të qytetit të Kukësit, janë konfrontuar fizikisht me efektivët.

Policia thotë se Abedin Oruçi, duke përfituar nga ky fakt dhe duke i kanosur me armë zjarri punonjësit e rendit, ka mundur të largohet.

Ndërkohë policia ka arrestuar në flagrancë disa shtetas në lidhje me ketë ngjarje. Më konkretisht kanë rënë në pranga: E. O., 32 vjeç, G. O., 34 vjeç, B. M., 35 vjeç, E. M., 18 vjeç, Z. Sh., 19 vjeç dhe B. D., 48 vjeç, banues në Kukës, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” kryer në bashkëpunim dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Gjithashtu u proceduan në gjendje të lirë, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, shtetasit: R. S., 22 vjeç, A. S., 18 vjeç, G. O., 50 vjeç, I. O., 28 vjeç dhe R. S., 21 vjeç, banues në fshatin Mamëz dhe në Kukës.

Policia e Kukësit ka shpallur në kërkim Abedin Oruçin, 54 vjeç dhe shtetasin me iniciele P.O., 46 vjeç, banues në Kukës.

Më herët, Abedin Oruçi ishte shpallur në kërkim pasi akuzohet nga Prokuroria e Kukësit për 3 vepra penale: kanosje për shkak të detyrës, evazion fiskal dhe ndërtim pa leje.

Në Kukës, Abedin Oruçi është një emër i njohur, pasi ka garuar në zgjedhjet vendore si kandidaturë e Bindjes Demokratike vitin e kaluar dhe po ashtu ka qenë  kreu i Këshillit Bashkiak në Kukës nën siglën e aleatëve të PD dhe PDIU-së. /e.a/noa.al/