Transmetuar më 12-01-2021, 20:09

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku kanë inspektuar situatën në këtë qytet, pas përmbytjeve.

Rama tha se se është bërë punë e madhe për të rregulluar kanalizimet në qytetin jugor.

“Duhet të mbyllet cikli i kanalizimeve, në rast se nuk ka reshje shumë intensive. Reshjet intensive përmbytin edhe Parisin. Në Vlorë kemi 3 projekte akoma, që do mbyllin gjithë ciklin. Reshjet në këta ditë ishin test se çfarë progresi është bërë për mbrojtjen nga uji në territor. Janë pastruar shumë kanale. Problem ishte fryrja e Vjosës. Duhen hequr kënetat”, tha Rama.

Kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, tha se po mbyllen 3 projekte që kanë të bëjnë me përmirësimin e kanalizimeve.

“Në bulevard, investimi ka funksionuar dhe po funksionon. Skuadra jonë po punon në bulevard. Ne po mbarojmë situatën problematike në Skelë dhe problematikën që shkaktohet nga reshjet në bulevardin “Ismail Qemali”. Kemi pastruar më shumë se 50 për qind e kanaleve kulluese në territorin e Bashkisë Vlorë. Do të vendosim bokse betoni, që do të ndërpresin ujërat. Gjashtë vjet më parë, sistemi i kanalizimeve ishte kalbëzuar, ndërsa sot sistemi i kanalizimeve është llogaritur nga inxhinierët”, – u shpreh Leli.

Ministrja Belinda Balluku, pas kthimit nga Dubai, pa nga afër zonat e përmbytura dhe tha se “me fondin e akorduar, nis nga puna edhe vendosja e bokseve të betonit, që të marrë fund përmbytja e çdo mënyre. Një fond tjetër është përgatitur sa i përket ujësjellësit”.

Kryeministri Rama shtoi se “po përpiqemi të bëjmë gjithçka me kapacitetet që kemi sigurisht. Duhet durim që të bëhen të gjitha”.

“Të fundit kanalizime kanë qenë në vitet 1980, pastaj nuk ka pasur më në demokraci. Ujë në Vlorë do ketë 24 orë në ditë, që të jemi të saktë”, – u shpreh Rama./a.m/NOA.al