Transmetuar më 12-01-2021, 19:04

Qeveria gjermane reagoi duke mohuar që të jetë vendi “misterioz” i Bashkimit Europian që i dha Shqipërisë 957 doza e para anti-Covid, pas pretendimeve në media.

Sebastian Gülde, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë gjermane u shpreh se: “Qeveria Federale Gjermane nuk ka çuar asnjë dozë vaksine tek asnjë vned. Ne nuk kemi informacion rreth donatorit”, pasi u pyet nga Euronews Albania nëse është Gjermania që i ka dhuruar vaksina Shqipërisë.

Ditën e sotme mediat raportuan se vendi i origjinës së dozave të ardhura nga një shtet dhurues, që sipas kryeministrit Edi Rama ka kërkuar të mbetet anonim ishte Gjermania.

Megjithatë, mes mungesës së transparencës për mënyrën e sigurimit të tyre, çmimit dhe kushteve të ruajtjes, duket se vendi dhurues është ende i panjohur për shqiptarët.

Në dy ditët e para të vaksinimit, janë bërë 110 injektime tek mjekët dhe stafi mjekësor i spitaleve, ndërsa kryeministri ishte gjithashtu mes personave të parë që u vaksinuan.

Kryeministri shkoi përtej modestisë, duke thënë se vaksinat e para që mori dhuratë, duke e lënë mister vendin që i dhuroi, u siguruan edhe për faktin se kreu i qeverisë e ka emrin “Edi Rama”.  /a.m/NOA.al