Transmetuar më 12-01-2021, 17:53

Në fund të javës që shkoi, Presidenti Ilir Meta dekretoi shpalljen e 5 ligjeve të ndryshuara që ishin paketë e Reformës Zgjedhore. Bëhet fjalë për ligjin për Prokurorinë, ligjin për Policinë, për bilbilfryrësit dhe për procedurën e Kodit Penal.

Ndërkohë, ish-deputeti i PD-së dhe ish-përfaqësuesi i PD-së në Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore, Oerd Bylykbashi, në një intervistë për gazetën “Panorama” tregoi prapaskenat se si maxhoranca tentoi të ndryshonte garancitë e fituara në Këshillin Politik të zgjedhjeve dhe presionin që ambasada Amerikane dhe ajo e Bashkimit Europian ushtruan mbi maxhorancën që të mos i ceknin ato.

Sipas Bylykbashit, PS-ja nxori eksponent (Fatmir Xhafajn) që sipas tij, shkroi reformën në drejtësi në mënyrë të tillë që ta kapte për të kundërshtuar ato garanci të arritura në Këshillin Politik për të parandaluar krimin zgjedhor. Ndërkaq, Bylykbashi akuzoi qeverinë se duke qenë se nuk ka rrugë tjetër se si të pengojë atë që firmosi në qershor, identifikimin biometrik, përpiqet që ta vonojë duke mos dhënë paratë.

Qeveria dha në dhjetor të vitit të kaluar rreth 5 milionë euro për identifikimin biometrik, ato nuk u shpenzuan dhe shërbyen për të nisur procedura e prokurimit. Por, sipas rregullores, nëse deri në fund të vitit ato nuk shpenzohen, ato i kthehen sërish buxhetit të shtetit. Teksa pritet vendimi për kompaninë fituese dhe data shënon 12 janar qeveria nuk ka akorduar asnjë vlerë monetare për teknologjinë në zgjedhje. Burime pranë KQZ-së i thanë gazetës “Panorama” se më 30 dhjetor i kërkoi qeverisë që të shtynin vlefshmërinë e fondit për deri në 31 janar 2021, por nuk morën përgjigje.

Bylykbashi, po shkojmë drejt mesit të janarit dhe ende qeveria s’ka akorduar fondin për identifikimin biometrik, si e komentoni ju këtë?

Vonesa që qeveria ka në këtë proces nuk është e rastësishme. Të gjitha hapat e ndërmarrë deri më sot nga qeveria, nga maxhoranca, kanë qenë në kuadër të vonimit të procesit të identifikimit biometrik të zgjedhësve. Qëllimi i këtij projekti është garancia që vota e shqiptarëve të mos bëhet pisë nga votat e paligjshme. Edi Rama nuk e do këtë garanci. Ai do që situata të mbetet siç ka qenë.

Si kanë vijuar vonesat e shkaktuara nga ana e kësaj maxhorance?! Kodi Zgjedhor është miratuar më 23 korrik, ndërkohë që duhet të ishte miratuar më herët. Duke vonuar ngritjen e KQZ-së, Rama shtyu më shumë se dy muaj të gjithë procesin. Tani Edi Rama po vonon edhe me fondet që duhet t’i vihen KQZ-së në dispozicion. Pse është vonesë e qëllimshme?! Më datë 5 qershor në marrëveshjen e asaj date është i shkruar detyrimi për qeverinë, që qeveria të vendos në dispozicion fondet e nevojshme për procesin.

Në 23 korrik kjo u kthye në ligj. Ndërkohë që KQZ-ja ka kryer veprimet, madje ka përllogaritur një shifër më të ulët se sa ishin pritshmëritë. Po kështu, ka identifikuar koston për projektin pilot të votim-numërimit.

Nuk ka hapësirë qeveria për të bërë pazare, nëse e do apo nuk e do. Por e vetmja gjë që mund të bëjë, është që ta vonojë në kohë në mënyrë që koha e mbetur të jetë objektivisht e pamundur të zhvillohet projekti i identifikimit. Pra, kjo është një nga përpjekjet e Ramës për ta pamundësuar zhvillimin e projektit në fjalë.

Në fund të javës që shkoi Presidenti Meta shpalli me dekret ndryshimet në 5 ligjet që ishin pjesë e paketës së reformës zgjedhore. Ligjet në fakt pësuan disa ndryshime sporadike, kanë pasur këto ndryshime konsensusin e opozitës? E bëj këtë pyetje pasi më kujtohet deklarata e z. Gjiknuri në mbledhjet e Komisionit të Ligjeve, teksa theksonte se me opozitën politike kanë rënë dakord që të mos prekej vetëm Kodi Zgjedhor dhe jo ligjet që shoqëroheshin me ndryshime?

Deklarata e z. Gjiknuri ka dy aspekte. Ose ai po shpreh me vullnet thyerjen e marrëveshjes, ose nuk e di se çfarë ka folur. Marrëveshja e 14 janarit ku është edhe firma e tij dhe ajo e opozitës, parashikon që të gjitha çështjet që do arrihen me konsensus mbi bazën e tematikave që do të trajtonte Këshilli Politik nuk do të ndryshonin nga kuvendi.

Tematikat e Këshillit Politik ishin ato të Reformës Zgjedhore që trajtonin shitblerjen e votës, që përfshihej edhe SPAK-u, për Prokurorinë, për rolin e Policisë, për bilbilfryrësit etj. Është një paketë e tëra që s’ka të bëjë me Kodin Zgjedhor që ishte çështje e Këshillit Politik. Dhe për të gjitha këto çështje thotë marrëveshja e 14 janarit, për të cilat Këshilli do të gjente konsensusin, Kuvendi nuk do mund t’i ndryshonte. Këshilli Politik kishte 2 komponentë legjislativë.

Ndërhyrja në Kodin Zgjedhor, ndryshimet në një numër ligjesh të tjera që ishin dakordësuar në Këshillin Politik. Si të tilla, duhet të kishin shkuar pa vonesë në Kuvend. Nga 23 korriku maxhoranca që deklaroi se i kishte depozituar, i mbajti në sirtar. Pastaj ishte presioni politik i opozitës që detyroi maxhorancën që të vazhdonte në shtator.

Më pas, PS-ja nxori disa eksponentë, të cilët kanë mërit turpin e dështimit të Reformës Zgjedhore. E kanë keqkonceptuar, e kanë keqshkruar dhe kanë insistuar të miratohej ashtu reforma në drejtësi në mënyrë që të kapnin drejtësinë dhe më pas thoshin që këto ligje bien ndesh me reformën në drejtësi.

Reforma në drejtësi nuk është as Kushtetutë, as Bibël dhe është provuar tani se sa problem qe ka. Kushdo që krenohet me të, duhet t’i vijë turp për krenarinë që kanë. Për më tepër, Këshilli Politik kishte përfaqësues politik dhe ekspertizën më të mirë kushtetuese dhe ligjore dhe ishte fare i qartë që dakordësia e arritur ishte në përputhje të plotë jo vetëm me kushtetutën, por edhe me të gjithë legjislacionin, përfshirë edhe me reformën në drejtësi.

Qeveria dha me vendim dakordësinë për këto ndryshime dhe më pas për të tentuar për t’i ndryshuar ato. Edhe pse ishin minimume që kërkoi opozita, përsëri tentoi t’i ndryshonte, duke bërë këto pretendime.

Cilat ishin pretendimet e maxhorancës dhe çfarë ndodhi?

Pretendimi ishte që SPAK-u nuk duhet të shqyrtonte korrupsionin zgjedhor, sepse kjo binte ndesh me reformën në drejtësi. Por, sipas z. Xhafa, që bënte këtë pretendim, SPAK-u ka për detyrë që të ndjekë atë që tenton të korruptojë policin e trafikut, por nuk ka për detyrë atë që tenton të blejë votat e shqiptarëve. Qartazi, ishte një përpjekje për të mbajtur sistemin e shitblerjes së votave.

Jo vetëm kaq, por SPAK-u ka për detyrë me Kushtetutë që të hetojë çdo formë korrupsioni. Dhe midis ryshfetit dhe shitblerjes së votës, qartazi forma më e rrezikshme është korrupsioni politik. Blerja e votës. Po kështu, tentuan të bllokonin edhe çështje të tjera. Por pas insistimit tonë dhe mbështetjes së ambasadës së SHBA-së dhe BE-së, të cilët duke negociuar ato elemente që përmirësuan me dytre ndryshime të vogla paketën e Reformës Zgjedhore, bën presionin ndaj maxhorancës që ato të kalonin sa më shpejt dhe ashtu si u dakordësuan.

Tentativa ishte që ligjet të miratoheshin më vonë në mënyrë që SPAK-u të mos kishte kohë për të hetuar krimet zgjedhore. /k.k/noa.al/