Transmetuar më 12-01-2021, 11:39

Një 23 vjeçar në Shkodër është arrestuar, pasi iu gjetën drogë dhe armë të ftohta me vete. Policia thotë se në pranga është vënë i riu R. L.,banues në lagjen “Skënderbeg”, për veprat penale  “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe e municionit”, “Mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Gjithashtu do të procedohet penalisht në gjendje të lirë, për  “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, 17-vjeçari R. Ç., banues në lagjen “Skënderbeg”.

Dy të rinjtë u ndaluan për kontroll në vendin e quajtur “Parrucë”, lagjja "’Qemal Stafa", ndërsa lëviznin me një mjet tip  ‘’Benz’’, që drejtohej nga 23-vjeçari, kurse i mituri ishte pasagjer.

Në bagazhin e mjetit u gjend një shkop bejsbolli, ndërsa në sediljen e parë u gjet një shkop gome policie. Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik, 23-vjeçarit i është gjetur një sasi e vogël lënde narkotike cannabis sativa.

Më tej, gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën edhe  48 fishekë. /e.a/noa.al/