Zbardhet ngjarja, zbulohet shuma e parave të grabitura në banesën e kambistit
Transmetuar më 12-01-2021, 10:27

Është zbardhur grabitja e ndodhur një ditë më parë në lagjen nr. 1 të Korçës, ku 3 shtetas i morën me dhunë kambistit Shefqet Muça, sipas policisë, shumën prej 4.000.000 lekësh.

Blutë e Korçës bëjnë me dije se kanë arrestuar në flagrancë njërin prej autorëve të dyshuar dhe kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim një nga bashkëpunëtorët e grupit.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, në vijim të punës intensive hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më datë 11.01.2021, në lagjen nr. 1 të qytetit të Korçës, ku tre shtetas i vodhën me dhunë një sasi prej 4.000.000 lekësh, shtetasit Shefqet Muça, 57 vjeç, para banesës së tij, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. Ç., 42 vjeç, banues në Durrës, si edhe shpallën në kërkim shtetasin M. A., 33 vjeç, banues në Korçë", – thuhet në një njoftim.

Policia thotë se po vijon puna për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit të tretë të dyshuar si të përfshirë në këtë ngjarje.

Tre grabitës të armatosur dyshohet se kanë hyrë në shtëpinë e kambistit në orët e para të mëngjesit të djeshëm dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit i kanë marrë një sasi të konsiderueshme parash.

Gjatë grabitjes, i zoti i shtëpisë është përleshur me njërin prej tyre në rrugicën para banesës, në tentativë për ta ndaluar.

Policia e ka arrestuar në flagrancë të dyshuarin, i cili ka pësuar plagë të lehta në trup dhe tashmë ndodhet në ambientet e paraburgimit në Korçë. /e.a/noa.al/