Transmetuar më 11-01-2021, 15:17

Ka nisur sot vaksinimi kundër koronavirusit në vend. Kryeministri Edi Rama ashtu sikurse deklaroi ka marrë sot vaksinën anti-Covid ‘live’ në amebientet e ish-stadiumit kombëtar "Qemal Stafa" në Tiranë.

Fillimisht Rama ka plotësuar formularin sipas procedurës dhe është vaksinuar.

Në fakt, e para që është vaksinuar në vend, ka qenë mjekja e njohur dhe shefja e Spitalit Infektiv, Najada Çomo.

Më pas është vaksinuar kryeministri Rama. Pastaj ka qenë mjeku infeksionist Pëllumb Pipero dhe pas tij mjeku Tritan Kalo.

Vaksinat në fjalë janë prodhim i "Pfizer/Biontech", ndërsa deri tani Shqipëria ka siguruar 975 doza.

Vaksinimi do të nisë në fillim me personelin shëndetësor, më pas do të vijojë me mësuesit, efektivët e policisë në terren dhe personat mbi 75-vjeç.

Më herët, sot Rama deklaroi se do ta bënte vaksinën anti-Covid jashtë radhe në shenjë sensibilizimi për të gjithë skeptikët.

“Unë do ta bëj vetëm për të dhënë mesazhin që vaksina jo vetëm është e sigurt por edhe për t’ju thënë të gjithëve se dokrrat me çipa apo transformim të ilirëve në aziatikë, janë qesharake. Siç e kanë bërë edhe kolegët e mi, do ta bëj edhe unë. Meqë kemi një grup konspiracioni të afektuar nga llumi i rrjeteve sociale, do ta bëj siç e kanë bërë kolegët e mi, nuk do të dëshiroja që t’i zija rradhën askujt, por do ta bëj sot vetëm për këtë arsye”, tha Rama mesditën e sotme. /e.a/noa.al/