Strehohej në një shtëpi me qira, “i forti” nga Kosova kapet në Tiranë
Transmetuar më 11-01-2021, 13:46

Një 40-vjeçar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet ligjzbatuese kosovare, për veprën penale “Vrasja e mbetur në tentativë” është arrestuar në Tiranë.

Policia thotë se në kuadër të operacionit të koduar "Lokalizimi", ka rënë në pranga shtetasi me iniciale G.M., banues në Kosovë, i cili strehohej në një banesë me qira, në rrugën "Jordian Misja" në kryeqytet.

I ndaluari fshihej në Tiranë dhe autoritetet ligjzbatuese kosovare e kishin shpallur në kërkim ndërkombëtar, për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.

Ky shtetas, i cili konsiderohej një person me rrezikshmëri shoqërore, dyshohet se ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin S. M. dhe pas tentativës është larguar ilegalisht nga territori i Kosovës.

"Interpol Tirana, në bashkëpunim me ILECU Kosovë, vijon procedurat për ekstradimin e 40-vjeçarit drejt Kosovës", – thuhet në njoftim. /e.a/noa.al/